
GREQI- Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka komentuar vizitën e Edi Ramës në Athinë pak ditë më parë, ku u zhvillua edhe takimi me shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në Greqi. Në një intervistë për gazetën “Macedonia tis Kyriakis”, kryeministri grek tha se takimi i Ramës ishte një çështje private duke e lidhur me zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen në Shqipëri, duke komentuar edhe kritikët e vizitës. Sipas Mitsotakis, të gjithë ata që ishin kundër takimit, nuk dhanë asnjë argument se përse duhej ndaluar.
Kryeministri shqiptar Edi Rama mbajti një fjalim të pazakontë parazgjedhor në Galatsi, në një kohë kur marrëdhëniet greko-shqiptare nuk po kalojnë një periudhë të mirë për shkak të burgosjes së Fredi Belerit. A jeni të shqetësuar për tensionet e kahershme në marrëdhëniet tona me shtetin fqinj? Dhe cili do të ishte mesazhi juaj për Edi Ramën sot?
Mitsotakis: Vizita e Edi Ramës këtu ishte private, ashtu si fjalimet përkatëse parazgjedhore që ai ka planifikuar tashmë në vende të tjera, në funksion të zgjedhjeve në Shqipëri. Qeveria nuk kishte arsye ta ndalonte. Thjesht sepse Republika e Greqisë nuk ka pse të frikësohet nga një ngjarje e tillë. Kjo konstatim i vetëkuptueshëm, natyrisht, nuk i pengoi populistët e njohur dhe “patriotët” që të na drejtonin gishtin, duke kërkuar ndalimin e takimit, pa shpjeguar sigurisht se si dhe pse. Çështjet në marrëdhëniet greko-shqiptare dhe euroshqiptare sigurisht që ende duhen diskutuar. Edhe kryeministri i Shqipërisë nuk mund të anashkalojë kushtet për anëtarësimin e vendit të tij në BE. Së pari, respektimi i shtetit ligjor, i cili është i parashikuar në nenin 2 të Traktatit për Bashkimin Evropian. Do të jem i qartë: me paraburgimin e paligjshëm të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, tashmë kandidat i NeoDemokracia për Parlamentin Europian, Fredi Beleri, Shqipëria shkel vlerën e shtetit ligjor, duke shfuqizuar të drejtën e tij të vetëkuptueshme për t'u gjykuar mbi bazën e prezumimit të pafajësisë. Prandaj, kjo nuk është vetëm një çështje dypalëshe, por kryesisht një çështje evropiane. Dhe duke qenë se rruga e anëtarësimit të Shqipërisë varet nga respektimi i të drejtave themelore të minoritetit grek, ajo kalon në mënyrë të pashmangshme nga vendi ynë. Jo për t'u "pajtuar" apo "ndëshkuar". Por për të parë Shqipërinë duke u bashkuar pa probleme në rrugën e vlerave europiane.
Të dielën e kaluar, Rama mbajti një takim me shqiptarët në Greqi. Gjatë udhëtimit të tij në Athinë, Rama shoqërohej në Greqi nga pjesa më e madhe e kabinetit qeveritar, disa kryebashkiakë socialistë, si dhe gazetarë dhe personalitete të tjera të rëndësishme. Turi i Ramës me diasporën do të vijojë më pas dhe në Itali, Britaninë e Madhe dhe në Gjermani./ZËRI