
TIRANË- Komisioni Hetimor i Shëndetësisë është mbledhur sërish sot, por nuk kanë munguar debatet mes socialistëve dhe demokratëve. Mbledhja ka nisur ke një kërkesë të Partisë Demokratike për të shtyrë afatet për punimet e Komisionit, kjo për të ripërsëritur seancat që janë zhvilluar pa opozitën. Por Partia Socialiste nuk e ka mirëpritur kërkesën e PD dhe mes palëve nuk ka pasur debate, e as një përfundim. Palët ende nuk kanë dalë me një vendim për shtyrjen apo jo të punimeve të Komisionit.
Deputetja Zheni Gjergji tha se Partia Socialiste i ka thirrur dëshmitarët pa praninë dhe dakordësinë e opozitës. Ndaj kërkoi që të thirreshin edhe njëherë për të dëshmuar.
Kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi ka ngritur dyshime të tjera.
“Po avullojnë dëshmitarët, tani që jemi në fund, kanë filluar të gjithë të sëmurën rëndë, sjellin raporte 10 ditore. Kemi dy dëshmitarë që ishin thirrur sot, Altin Biba thotë se ka marrë raport 10 ditor dhe nuk mund të paraqitet,”-u shpreh Vokshi.
Pasi përfunduan diskutimet për mbarëvajtjen e Komisionit, opozita ngriti çështjen e marrjes së Plarent Dervishajt, si të pandehur nga Prokuroria e Posaçme. Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa tha se punimet nuk mund të vijonin me një të pandehur në krye të Komisionit. Por mbrojtjen kolegut, ia bëri deputeti socialist Ilir Metaj.
PJESË NGA DEBATI:
Ina Zhupa: Sot duhet ta kishte nisur maxhoranca me një kërkesë falje, me një kërkesë të tyre për të zhbërë atë që kanë bërë në këtë komision vetëm. Si ka vajtur puna në këtë komision, duhet një tjetër komision hetimor të hetojë shkeljet në këtë komision. Zoti Ndreca ka uzurpuar këtë komision, i cili për ironi të fatit po hetohet vetë. Pra, një hetuar që po heton. E madje ka edhe të njëjtin avokat si Ilir Beqaj. Ne u përjashtuam sepse maxhoranca donte ta bënte vetë hetimin, të kalonte vetë ligjet, u detyruam të mos merrnim pjesë në një komision që e kishim kërkuar vetë, vetëm e vetëm për të mos hetuar, për të prishur hetimin, për të thirrur kë duan vetë vetëm e vetëm sepse duan që të çojnë në drejtim të kundërt hetimin parlamentar. Ajo që duhet të kërkojmë, është që gjithçka që ka kaluar vetëm nga maxhoranca, duhet të ribëhet përsëri. Mungon një listë e gjatë dëshmitarësh që duhet të kishin ardhur. Për Ilir Beqajn të duhet një ditë e veçantë, ndaj duhen ditë të tjera, ta shtyjmë dhe duhet edhe ndihma e policisë për ata që refuzojnë të vijnë, që të bëjmë hetim sepse nuk duhet ta bëjmë teatër sepse nëse do e bëjmë gjasme që Ndreca heton Beqajn, më mirë ta mbyllim jo me 14 por me 8 sepse është teatër bajat.
Plarent Ndreca: Besoj se nuk është etike të futemi në diskutime personale.
Albana Vokshi: SPAK ka folur, lëre o Plarent se s’të ndihmon kjo gjëja. E moralshme do ishte të mos ishe më aty, po ky është vendim i partisë tende.
Plarent Ndreca: Jam avokat vetë, mbrohem vetë, mos u shqetëso fare, u dal gjërave vetë për zot, me shumë qetësi dhe profesionalizëm.
Albana Vokshi: Janë disa raste që as nuk ja vlen përgjigja.
vijon...