
TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka zbardhur këtë të hënë vendimin ku rrëzonte padinë e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, i cili kërkonte të bënte betimin. Sipas Kushtetueses, Beleri duhet të ezaurojë njëherë të gjitha shkalllët më të ulëta të gjyqësorit, për të mbërritur në Gjykatën Kushtetuese. Kështu, me këtë arsyetim Gjykata Kushtetuese nuk e ka kaluar padinë për në seancë, më 3 prill, shkruan Report Tv.
Sipas vendimit të Kushtetueses, ankimi individual në këtë gjykatë është bërë nga përfaqësuesi ligjor i Belerit në 3 janar 2024, në një kohë që diskutimi për lejen për t’u betuar nuk ishte shqyrtuar ende në Gjykatën e Posaçme. Beleri kërkon lirinë nga burgu për tu betuar si kryebashkiak i Himarës.
I zgjedhur nga votat e qytetarëve kryebashkiak i Himarës, Fredi Beleri është arrestuar që më datë 12 maj 2023. Ai akuzohet për veprën penale “korrupsion aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim”. Banorë të Himarës kanë thënë se atyre iu janë premtuar para, në këmbim të votës. Ai u prangos 48 orë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, por prangosja dhe dënimi i tij ka acaruar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Pala greke pretendon se e gjitha po bëhet për të "mbytur' minoritetin grek në Shqipëri, akuza që i ka rrëzuar vetë kryeministri Edi Rama./ZËRI