
ATHINË – Mediat greke kanë pasqyruar gjyqin e zhvilluar në GJKKO në Tiranë të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, i cili akuzohet për blerje votash. Sipas asaj që raportojnë mediat helene, prokurorët e SPAK kanë kërkuar 2 vite e 6 muaj burg për Belerin. Më pas, citohet Beleri, që ka deklaruar në sallën e gjyqit, se procesi ndaj tij është i njëanshëm.
Pasqyrimi në mediat greke i gjyqit të zhvilluar në GJKKO në ngarkim të Fredi Belerit
Më 28 shkurt në Gjykatën Speciale të SPAK në Shqipëri do të vijojë gjyqi i kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Në seancë dy prokurorët e shpallën fajtor zotin Beleri për veprën e korrupsionit aktiv, duke rekomanduar dënimin me burg me 2 vjet e 6 muaj burg. Për të bashkëakuzuarin, Pandeli Kokaveshi, prokuroria propozoi një dënim me kusht me një vit burg, për shkak të problemeve shëndetësore.
Sipas një raportimi të ERT, kryebashkiaku i akuzuar i Himarës iu tha gjyqtarëve. “Kam ankesë për mënyrën sesi funksionon Prokuroria. Organi i akuzës vazhdimisht nuk po i pranon provat e mia dhe po i refuzon, nuk po i merr në pyetje personat që kemi përmendur si dëshmitarë dhe në rastin tim provat janë falsifikuar. Kushdo që falsifikon dokumente të shtetit shqiptar mban përgjegjësi penale. Këtu në Shqipëri nuk ka drejtësi të paanshme. Procesi është i motivuar politikisht dhe ne shohim që kryeministri ndërhyn në këtë rast. Himariotët i keni lënë pa kryebashkiak. Ky është burg politik dhe ju nuk më lejoni të betohem si kryetar bashkie”, theksoi Beleri.
Struktura e Posaçme Antikorrupsion ka kërkuar dënimin me 2 vite e 6 muaj burg për Fredi Belerin, ndërsa për bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshin u kërkua 2 vite burg. Por, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore dhe të djalit, SPAK i ka kërkuar gjykatës pezullimin e dënimit me burg dhe vënien në shërbim prove për 4 vitet e ardhshme. Beleri dhe Kokaveshi akuzohen për blerje votash në zgjedhje./ZËRI/