Politikë

Sot Asambleja Kombëtare e PS-së, Rama kërkon mbledhje hermetike, çfarë do të diskutohet

Kjo është mbledhja e parë e socialistëve, që pas akuzave të forta të bëra ndaj Ramës nga Ahmetaj

E.K
Sot Asambleja Kombëtare e PS-së, Rama kërkon mbledhje hermetike,
Edi Rama

TIRANË- Socialistët do të mbledhin paraditen e kësaj të diele Asamblenë e tyre Kombëtare, punimet e së cilës do të jenë me dyer të mbyllura. Thirrja e kësaj asambleje është kërkuar nga vetë kryeministri Edi Rama, dhe i gjithë fokusi pritet të jetë në bazën e socialistëve, teksa na ndan rreth një vit nga zgjedhjet parlamentare të 2025-ës. Mësohet se për secilën prej bashkive do të ketë një raportim në lidhje me strukturat e partisë në terren, ndërkohë që prej ditësh ka nisur skanimi i performancës në terren.

Rreth 400 anëtarët e Asamblesë Kombëtare do të sjellin në mbledhjen e sotme një raport të gjetjeve dhe shqetësimeve që kanë konstatuar në terren. Vetë sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi, tha pak ditë më parë se mbledhja e Asamblesë synon ndezjen e motorëve për zgjedhjet e vitit të ardhshëm, ku socialistët kërkojnë që të marrin mandatin e tyre të katërt qeverisës.

“Faza e parë është ri-energjizimi organizatave të PS. Është kërkuar me një formulë të re që e gjithë trupa e Asamblesë Kombëtare që është një trupë rreth 400 anëtarësh janë shpërndarë në terren sipas parimit jo atje ku bëjnë jetën e partisë por për të monitoruar, audituar punë  dhe problematikat në të gjithë situatën partiake. Natyrisht se çfarë duhet të bëjmë që të garantojmë fitoren e vitit 2025 të Partisë Socialiste”, tha Klosi gjatë një interviste.

Ndërkohë sa i takon mbledhjes me dyer të mbyllura, ajo është kërkuar nga vetë kryesocialisti, i cili ka kërkuar gjithashtu që të mos rrjedhin informacione në media, në lidhje me diskutimet që do të bëhen në mbledhjen e sotme. Kjo ështe hera e parë që socialistët mblidhen pas akuzave të forta që bëri Arben Ahmetaj dhe në drejtim të vetë kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzoi se e nxori në pritë, dhe e bëri kokë turku. Vetë Rama, por edhe socialistët e tjerë, kanë zgjedhur heshtjen si një përgjigje për akuzat e Ahmetajt, dikur një nga njerëzit më të besuar të kryeministrit./ZËRI

 

Poll

MOS HUMB