
TIRANË- Pas publikimit të skandalit tek spitali Onkologjik, deputeti i Partisë Demokratike, Arbi Agalliu ka dorëzuar një kërkesë për interpelancë urgjente me ministren e Shëndetësisë, Albana Koçiu. Kërkesa është depozituar sot në sekretarinë e Kuvendit dhe pritet që të zhvillohet ditën e nesërme, gjatë seancës plenare. Në shkresën e tij, Agalliu sqaron se ka për qëllim marrjen e informacioneve për të kuptuar se çfarë nuk ka funksionuar.
"Me qëllim marrjen e informacioneve dhe për të bërë transparencë, përpara qytetarëve shqiptarë, të sqarimit të situatës së rrethaneve për qartësimin e arsyeve të mos funksionimit të sistemeve mbrojtëse ndaj pacientëve dhe për të kuptuar çfarë nuk ka funksionuar që kjo skemë korruptive ka qenë aktive prej kohësh, kërkoj interpelancë me ministren e Shëndetësisë, Albana Koçiu,"-shkruhet në objektin e interpelancës.
Po ashtu edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi tha se është kërkuar një interpelancë urgjente me ministren Koçiu.
Gazment Bardhi: Sapo ka përfunduar mbledhja e grupit parlamentar të PD. Në qendër të diskutimeve skandali i Onkologjikut. Grupi ka miratuar kërkesën për një interpelancë me ministren Koçiu, në seancën e ardhshme, për t’iu përgjigjur papërgjegjshmërinë që ka udhëhequr ministrin në trajtimin e këtij problemi. Dje ministrja, edhe për shkak të indinjimit të thellë që gjëja ka shkaktuar në popull, shprehu neveri për që që ka ndodhur, por institucionet kanë qenë të informuara në kohë për atë që po ndodhte. Skandali nuk është rast i veçuar, por një skemë e plotë e iniciuar nga drejtuesit politikë në Shëndetësi. Ministri ka pasur në dorë raportet e KLSH, ku nuk është marrë asnjë masë. Ka pasur denoncime nga opozita dhe gazetarë e ka pasur zero veprime nga MSH. Pasi vepron prokuroria nuk mund të veprosh me fjalinë kemi pushuar mjekët.
Mjekët e punësuar në spitalin shtetëror "Nënë Tereza", kanë shpërdoruar detyrat, duke mos iu dhënë qytetarëve, shërbimin e nevojshëm në spitalin shtetëror, por duke i orientuar ata në spitale private, për të marrë shërbimet që kërkonin. Në spitalin “Nënë Tereza” ka qenë i vendosur dhe burimi i kobaltit që shërbente për radioterapinë, i cili nuk vihej në punë dhe ishte jashtë standardeve, duke u kthyer në një burim rreziku për pacientët. Gjatë hetimit, është bërë e mundur që ky burim të zhvendoset në vendin e përcaktuar. Në kuadër të këtij procedimi është ushtruar kontroll në disa subjekte farmaceutike ku janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme mallrash të dyshuara të kontrabanduara dhe të falsifikuara, shuma 10 000 euro, si dhe një klinikë mjekësore./ZËRI