
KOSOVË- Marrëdhëniet e Kryeministrit Albin Kurti dhe homologut të tij Edi Rama duket se nuk janë përmirësuar. Ose të paktën, diçka e re ka ndodhur dhe marrëdhëniet sërish nuk janë në ditët e tyre më të mira. Edhe pse Rama ndodhet sot në Prishtinë, nuk ka pasur dhe nuk e ka në axhendën e tij asnjë takim me homologun Albin Kurti. Këtë gjë e ka bërë të qartë axhenda e dy kryeministrave, që menjëherë u raportua nga mediat si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë.
Të parët që reaguan për mediat ishin zëdhënësit të qeverisë së Albin Kurtit. Në një reagim zyrtar, Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu u shpreh se Rama sot po takohet me "ata" (përfaqësues së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe presidenten Vjosa Osmani) që sheh si nevojë për të pasur raporte të mira. Sipas Kryeziut, Kurti e ka ftuar Ramën në një takim tjetër, më 12 qershor, datë në të cilën kreu i qeverisë shqiptare nuk e ka pasur axhendën e lirë.
“Në bazë agjendës së deritanishme, duket që në Prishtinë, Kryeministri i Shqipërisë, Rama, po i takon ata me të cilët konsideron që ka nevojë t’i rregullojë raportet,”- thuhet në reagim.
Ndërsa nga ana e qeverisë shqiptare nuk ka asnjë koment lidhur me mungesën e takimin mes dy homologëve. Por Rama është "ngacmuar" për një deklaratë nga gazetarët teksa po vizitonte zyrën e kreut të Bashkisë së Prishtinës, Përparim Rama. Ngacmimeve, edhe Rama u është përgjigjur me batutë, pa komentuar më gjatë takimin e munguar me Kurtin.
A ke ndonjë porosi për vëllain e vogël?
Rama: Vëllain e vogël e kam në Tiranë është drejtori i klubit Partizani, është Olsi Rama. Më bëtë pyetje me shpresën që do më fusnit në kurth, por jam mësuar me këto kurthe, por po rashë në kurth hidhem vetë nuk më fut dot njeri.
Pyetje: A mendoni se ka lider unifikues në Kosovë?
Rama: Nuk është çështje personash, është çështje e ndarjes interesit kombëtar nga interesat partiake dhe nga interesat e brendshme politike. Unë besoj që kur Shqipëria dhe Kosova dalin jashtë kufijve nëpërmjet të zgjedhurve të tyre ata janë një. Në kuptimin që Shqipëria është shteti i shqiptarëve, Kosova është shteti i shqiptarëve të Kosovës dhe pakicave dhe brenda gjërat mund të diskutohen, por interesi kombëtar është ai që përcakton politikën e jashtme dhe është ai mbi të cilin përcaktohet edhe mënyra si të tjerët na shohin.
Marrëdhëniet e Kurtit dhe Ramës përgjatë kohëve të fundit kanë pasur ulje-ngritjet e tyre. Herën e fundit që Rama e përmendi Kurtin ishte në një intervistë të dhënë për Berat Buzhalën, ku kujtoi momentin që kryeministri i Kosovës, tentoi që të zinte vende në parlamentin shqiptar duke hapur një degë të Lëvizjes VetëVendosje në Shqipëri./ZËRI