KOSOVË- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ftuar në një intervistë për televizionin Klan Kosova, ka folur rreth ngërçit politik në Kosovë. Ai është ndalur te integrimi i Shqipërisë dhe Kosovës në Bashkimin Evropian, duke theksuar se Kosova nuk ka bërë progres. Sipas tij, Kosova e ka të pamundur të përparojë në rrugën drejt Bashkimit Evropian pa krijuar simpati, besim dhe pa zgjeruar marrëdhëniet diplomatike me partnerët ndërkombëtarë.
“Është e pamundur të përparohet në asnjë drejtim në këtë aspekt pa krijuar besim dhe simpati të plotë ndërkombëtare. Kjo nuk bëhet se duam ne, por bëhet nëse kemi miq dhe aleanca të mjaftueshme për të ia dalë. Në këtë aspekt, fjala më e butë që mund të thuhet është se nuk ka asnjë progres. Nuk ka asnjë progres në aspektin e zgjerimit dhe forcimit të miqësive ndërkombëtare të Kosovës”, tha Rama në emisionin “Jehona Politike”.
Ai u pyet edhe në lidhje me idenë e bashkimit kombëtar, një ide e artikuluar shpesh nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Rama e sheh bashkimin kombëtar vetëm si bashkim me Evropën, duke theksuar se çdo gjë tjetër është thjesht “përrallë”.
“Bashkimi kombëtar, sipas meje, është vetëm bashkimi me Evropën dhe asgjë tjetër. Çdo gjë tjetër është përrallë që gjithkush mund t’ia tregojë vetes, por nuk ka asnjë shans që ta shohë të realizuar në realitet. Jetojmë në shekullin XXI dhe nuk mund të mendojmë me formula të shekujve të kaluar – lëre më të shekullit XIX apo më përpara. Për mua, nëse flasim për bashkim kombëtar, flasim për Bashkim Evropian. Nëse flasim për bashkim kombëtar jashtë Bashkimit Evropian, jemi duke folur me vete dhe për vete – por as për vete jo, sepse është tërësisht një fantazi që s’ka lidhje me realitetin”, u shpreh Rama./ZËRI