
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka hapur rrjetet e tij sociale për të dalë live nga Foltora e Kuvendit. Pasi deputeti Nallbati qëlloi me grusht socialistin Vullnet Sinaj, seanca u ndërpre nga transmetimi, ndërsa Sali Berisha ka bllokuar Foltoren dhe është futur live në Facebook. Me radhë më pas ka listuar akuzat ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Herë pas herë, duke qenë se ishte me kurriz nga ulëset e ministrave, Berisha kërkonte ndihmë për të kuptuar se kush po e replikonte.
PJESË NGA FJALA E BERISHËS:
Berisha: Kjo skenë që shihni ju sot, kjo skenë që përbën një provokacion të ulët, banditesk ndaj opozitës e krijon fakti sepse këta bajlozë krimi në qeveri, këta hajdutë që kanë humbur çdo normë etike, morale, ligjore na përjashtojnë ne deputetëve të opozitës nga të drejtat kushtetuese të deputetit. Një nga të drejtat më themelore kushtetuese të deputetit në parlament është e drejta e tij së bashku me 35 deputetë të tjerë të ngrejë komision hetimor parlamentar për të bërë transparencën për problemet e mëdha që ai konsideron. Kjo e drejtë e sanksionuar nga kushtetuta nuk mund ti mohohet askujt. Mbledhja e firmave për një komision hetimor parlamentar, është automatike ngritje e komisionit. Por kjo nuk ndodh, sepse Edi Rama i ngërthyer nga aferat e tmerrshme vjedhje dhe korrupsioni, në drogë. Këta që besojnë se mund të shkelmojnë kushtetutën, këta janë banditë, këta janë një bandë e turpshme që nuk kanë asnjë moral dhe ligj.
Nikolla: Do merren masa
Vokshi: Ça masash do marrësh ti mi?
Noka: Provokatore, e nise ti këtë!
Berisha: Kjo që po flet është shërbëtorja e Edi Ramës. Dëgjoni parlamentin ku është parlamenti i Edi Ramës, është si repart garde dhe jo institucion...O Oerd kush po flet?
Noka: Kush i njeh, tani po ua shoh surratin për herë të parë./Zëri.ai