
TIRANË – Deputeti demokrat Ervin Salianji, në një deklaratë për mediat tha se PD kërkon bashkëkryetarin e Reformës Zgjedhore. Ai hodhi akuza në drejtim të qeverisë, duke u shprehur se nuk pyet për asnjë institucion të vendit. “Ne nuk heqim dorë nga kërkesat tona. Aksioni ynë opozitar në Kuvend vazhdon. PS ka zhbërë Kuvendin dhe e ka kthyer në shërbim të Edi Ramës. Të gjitha institucionet po i binden Ramës. Ligjet po kalohen në mënyrë të shpejtuar, jemi në kushtet e një regjimi. Ne kemi pasur 3 kërkesa Kushtetuese, që nuk na janë plotësuar nga Rama. Ne kërkojmë bashkëkryetarin e Reformës Zgjedhore”, tha Salianji.
Salianji më tej ka kritikuar qeverinë, për faktin se kalon në parlament ligjet në një kohë të shpejtuar, pa pasur asnjë diskutim paraprak. Ai tha se Rama dhe PS e kanë vendosur përfund parlamentin.
“Siç e shihni në mënyrë të përsëritur PS e ka vënë përfund edhe parlamentin përveçse institucionet e tjera. Të gjitha institucionet i nënshtrohen vullnetit personal të Edi Ramës duke mos respektuar ligjin. Votohen ligjet pa asnjë diskutim, kalojnë në mënyrë të përshpejtuar dhe nuk merren me thelbin e problemeve. Kërkojmë bashkëkryetarin e komisionit të Reformës Zgjedhore, nuk mund të ketë 4 përfaqësues një grupim që nuk është as parti ndërsa ne të mos kemi përfaqësimin e bashkëkryetarit. Ne kemi bindur opinionin publik për frikën që ka Edi Rama për t’u përballur me hetimin parlamentar. Kërkesa tjetër është që mos të ndërhyjë në grupin parlamentar të PD.
Pavarësisht thirrjeve të faktorit ndërkombëtar që të adresohen problematikat, vazhdohet me të njëjtën situatë ku bëhet gjasme sikur ka një konflikt në grupin parlamentar të opozitës. Vazhdohet me teatrin e shpifur të kalimit të ligjeve brenda disa minutave”, u shpreh Salianji.
Në fund të fjalës së tij, Salianji ka ironizuar edhe për rrëmujën që shkaktoi opozita, teksa bënte zhurmë me bilbilët në Kuvend. Ai tha se bilbilin e kanë përdorur deputetët e PS dhe iu frynin, për të prodhuar zhurmë, kur në qeverisje ishte PD-ja. “Bilbil mesa kujtoj unë quhej një mjet, që e fusnin në gojë deputetët e PS-së dhe u frynin për të shkaktuar zhurmë, kur në qeverisje ishte PD. Ne kemi forma të ndryshme që të bëjmë të pamundur jetën parlamentare”, deklaroi Salianji.
Gjatë seancës së sotme, deputetët e PD protestuan me pankarta dhe vërshëllyen. Pavarësisht kësaj, maxhoranca miratoi ligjet e rendit të ditës. /ZËRI/