Politikë

Sali Berisha shkon sot në SPAK, Bardhi mobilizon deputetët, mesazhi që iu është dërguar demokratëve

Fillimisht Sali Berisha, dhe më pas dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, do të paraqiten në SPAK për t’u njohur zyrtarisht me akuzën që rëndon mbi ta, për privatizimin e ish-kompleksit Partizani

E.K
Sali Berisha shkon sot në SPAK, Bardhi mobilizon deputetët, mesazhi
Sali Berisha

TIRANË- Rreth orës 12:00 të mesditës së sotme, ish-kryeministri Sali Berisha do të paraqitet për herë të dytë në Prokurorinë e Posaçme, për çështjen Partizani, ku pritet të njihet zyrtarisht me akuzën ndaj tij. Pas afro 9 muajsh, që gjendet nën masën e arrestit të shtëpisë, si një person nën hetim, Berisha pritet që të merret zyrtarisht i pandehur nga ana e SPAK për akuzën e shpërdorimit të detyrës. E njëjta rrugë pritet që të ndiqet edhe për dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, i cili në ndryshim nga Berisha i përjetoi disa javë qëndrimi në qeli, dhe më pas ndau të njëjtën çati me vjehrrin e tij nën arrest.

Mbërritja e Berishës në SPAK pritet që të shoqërohet me një protestë jashtë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme, ku do të jenë të pranishëm dhe deputetët e PD-së, por edhe anëtarët e Kryesisë, dhe simpatizantët që nuk e kanë bërë një ditë pushim me tubimet poshtë ballkonit t ëish-kryeministrit.

Gazment Bardhi në cilësinë e grupit parlamentar, iu ka dërguar një mesazh deputetëve, ku iu kërkon pjesëmarrjen e tyre në protestë, sipas dhe njoftimit të bërë publik më herët.

Edhe pse publikisht, Bardhi gjithmonë ka deklaruar që mbështet punën e Prokurorisë së Posaçme, këtë herë duket se do të jetë i pranishëm në protestë, ndërkohë që mbledhja e grupit parlamentar të PD-së është shtyrë për dirën e nesërme.

“Të nderuar kolegë, nesër në 12:00, do të jemi përpara SPAK, sipas njoftimit që është bërë publik. Ndërkohë, mbledhjen e radhës së Grupit Parlamentar, lidhur me seancën plenare, do ta zhvillojmë, të enjten, ora 09:00, në seli. Ju falënderoj”, thuhet në njoftimin e Bardhit.

Hetimet për Berishën dhe për dhëndrin e tij Jamarbër Malltezin janë mbyllur, dhe tashmë dosja pritet që të dërgohet në Gjykatën e Posaçme. Pas Berishës, rreth orës 14:00 në SPAK pritet që të paraqitet dhe Malltezi, i cili po ashtu do të njihet me akuzën. Në rast të një dënimi të mundshëm nga ana e Gjykatës, Berisha mund të jetë në kushtet e pamundësisë për të kandiduar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, për shkak të ligjit të dekriminalizimit.

Ky zhvillim në hetimet për dosjen Partizani, vjen pak ditë pasi Partia Demokratike prezantoi ekipin e saj politik për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat do të mbahen pranverën e vitit të ardhshëm. Dënimi i tij padyshim që do të ishte një goditje e rëndë për opozitarizmin në vend, ndërkohë që kryeministri Edi Rama nga ana tjetër, ka paralajmëruar se PD do të katandiset më keq se në vitin 1997, ku nuk mori më shumë se 25 mandate deputetësh. /ZËRI

Poll

MOS HUMB