
TIRANË- Pushimet përfunduan, nesër 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë do të çelin siparin e sesionit të ri parlamentar. Nesër në orën 17:00 do të rikthehet Kuvendi, në një seancë ku do të paraqiten objektivat për këtë sesion. Kësaj herë nën drejtimin e kryeparlamentares, Elisa Spiropali.
Fjalën e parë do ta marrë pikërisht kjo e fundit, e pasuar nga krerët e grupeve parlamentare. Për herë të parë, një fjalë të shkurtër do ta mbajë Niko Peleshi, i cili do të mbledhë fillimisht grupin në orën 10.00 të mëngjesit; një mbledhje në grup në orën 12.00 ka caktuar edhe Partia Demokratike, që në krye të grupit parlamentar ka Gazment Bardhin. Pas përfundimit të fjalës së dy krerëve të grupeve më të mëdha në Kuvend, nga një fjalë të shkurtër do të mbajnë edhe Mesila Doda dhe Dashamir Shehi.
Më pas, javën që vjen, të enjtën më 12 shtator priten që të merren dy vendime të rëndësishme sa i përket mandatit të 2 deputetëve socialistë Olta Xhaçka dhe Vullnet Sinaj. Mandati i Xhaçkës pritet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa e njëjta procedurë do të ndiqet edhe për Sinajn. Megjithatë për këtë të fundit, më 4 shtator do të mblidhet Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
"Shqyrtimi i mocionit të 1/10 të deputetëve përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj dhe dërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e papajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj,"-shkruhet në faqen e Kuvendit.
Ndërkohë, mbetet i paqartë fati i një kërkesë urgjente për interpelancë e Gazment Bardhit me kryeministrin Edi Rama, i cili e ka kërkuar për të marrë informacion lidhur me sasinë e mbetjeve të rrezikshme që pritet të kthehen këtë shtator nga Tajlanda, atje ku ishte parashikuar që të depozitoheshin.
Ky është sesioni i shtatë në legjislaturën e dhjetë të Kuvendit./ZËRI