
ITALI- Pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për programin "Report" në Rai3 që trajtoi marrëveshjen Shqipëri-Itali për emigrantët, një reagim ka ardhur edhe nga moderatori i programit Sigfrido Ranucci.
“Është shpifja më skandaloze për Shqipërinë. Një transmetues i paguar nga taksat italiane është bërë protagonist i një episodi të turpshëm shpifjeje ndaj Shqipërisë, siç ndodhi në vitet kur shqiptarët u shfaqën në Mediat italiane vetëm si vrasës, trafikantë, prostituta dhe hajdutë, dhe Shqipëria paraqitej si djepi i krimit në Evropë. Me paturpësi epike ai nuk publikoi asnjë nga përgjigjet e dërguara me shkrim nga Ëngjëll Agaçi”,-kështu u shpreh Edi Rama për emisionin 'Report'.
Nga ana tjetër gazetari dhe prezantuesi i emisionit Sigfrido Ranucci në përgjigjen e tij ka deklaruar se sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit Edi Rama,Ëngjëll Agaçi i ka konfirmuar me fakte ato që janë thënë në emision. Ai është shprehur se Engjël Agaçi ka pranuar se ka qenë avokat i narkotrafikantëve
Përgjigja e Ranucci: Në email-in e përgjigjes nga Agaçi, të cilit i kishim kërkuar disa fakte, ai konfirmoi se ishte avokat i disa trafikantëve të drogës dhe se kishte kontribuar që kur ishte këshilltar ligjor i Ramës, në zbatimin e protokollit. Gjithçka që thamë është e shkruar e bardha në të zezë dhe është nga një burim zyrtar.
Në përgjigjen e tij Ranucci bën të ditur se të dielën e ardhshme programi do t’i rikthehet çështjes.
Të dielën, Report në "Rai3" arriti të bënte zhurmë në të dy vendet pas një analize për marrëveshjen e emigrantëve. Sipas tyre, garanti i kësaj marrëveshje është Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi. Agaçi përshkruhet në dokumentar si avokat i disa trafikantëve të drogës në Itali, ndërsa zbulohet edhe një episod i cili pas transmetimit është cilësuar si korruptiv, ai i lidhur me Fabrizio Lisin, ish-shef në Guardia di Finanzia, të cilit trafikanti shqiptar Artur Shehu i dhuroi 30 hektarë tokë buzë detit, përmes ndërmjetësimit të Agaçit. Vetë Agaçi i quan gjetjet e gazetarëve italianë shpifje, ndërsa paralajmëroi padi për programin./ZËRI