
TIRANË- Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu ndodheshin sot në Fier, ku diskutuan për Autonominë Menaxheriale. Rama dhe Koçiu dorëzuan kartat e Autonimisë Financiare për gjashtë spitale të ndryshme në vend. Kryeministri ndau kartat për 6 instuticionet e shëndetësisë: Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, Materniteti “Koço Gliozheni”, Spitali Rajonal Korçë, Spitali Rajonal Elbasan, Spitali Rajonal Gjirokastër dhe Spitali Universitar i Traumës.
Rama u shpreh se autonomia menaxheriale fuqizon sistemin shëndetësorë, ndërsa paralajmëroi edhe një bashkëpunim të rëndësishëm.
“Autonomia menaxheriale, tani do testohet në 5 spitale të reja. Memorialin do t’i sigurojmë autonominë financiare. Do vazhdojmë punën për të rritur shkallën e ndërveprimit. Ky bashkëpunim këtu është kuptimplotë për këtë përzierje eksperiencash dhe energjish. Jemi duke përgatitur një bashkëpunim shumë të rëndësishëm. Para se të jemi 100 përqind të sigurt, më mirë të jemi të matur në prononcim. Nëse ky bashkëpunim do realizohet, do kalohet në një nivel tjetër. Gjatë kësaj dekade, ne të ndërtojmë sistem shërbimi shëndetësor, që të përballojë një kërkesë më të madhe në cilësi dhe sasi”, tha Rama.
Në një moment gjatë ceremonisë pati dhe batuta mes Ramës dhe kryeministrit. Drejtoresha e spitalit të Traumës, Edlira Bode kërkoi që të punojë me të një mjek turk në Spitalin Memorial të Fierit.
“Ndërkohë që ishte duke folur zonja ministre, nga stafi im më erdhi një mesazh, një kërkesë, njërin nga menaxherët turq, a mund ta marrim ne me vete”, pyeti drejtoresha e Traumës.
“Kur u lidhe me turkun, turku sa ka ardhur. Dua t’i them dhe doktorit që tha ‘më keni lënë si ëmbëlsira për në fund’. Mos të të gënjejë mendja se je ëmbëlsirë. Po të jesh ti ëmbëlsira, kemi marrë fund”, u përgjigj ai me batutë.
Autonomia Spitalore parashikon delegimin gradual të vendimarrjes financiare dhe administrative nga strukturat e qeverisjes së përgjithshme te spitalet. Spitalet publike që plotësojnë disa kritere, po pajisen me kartën e autonomisë menaxheriale, e cila bazohet në atë që quhet praktikë e dyfishtë, sipas së cilës qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin mjekët që duan për të marrë shërbim jashtë orarit zyrtar, kundrejt pagesës.
Qeveria parashikon 2 modele të autonomisë së spitaleve: a) Modeli i autonomisë menaxheriale garanton dhënien e autonomisë administrative, organizative dhe rregullatorë të spitaleve publike, bazuar në përcaktimet e kartës së autonomisë spitalore; b) Modeli i autonomisë financiare garanton transformimin e spitaleve publike në institucione që vetëfinancohen, financohen nga buxheti i shtetit për shërbime të caktuara nga Këshilli i Ministrave dhe nga burime të tjera të ligjshme, bazuar në përcaktimet e kartës së autonomisë spitalore./ZËRI