
TIRANË- Kreu i qeverisë Edi Rama, do të mbledhë sot grupin parlamentar të Partisë Socialiste, ku të pranishëm do të jenë edhe ministrat e kabinetit qeveritar, ndërsa të gjithë pjesëmarrësit prej një jave janë paralajmëruar që të mos bëjnë mungesa.
Mbledhja pritet të mbahet në ambientet e kryesisë së Kuvendit, duke nisur në orën 10:00, ndërsa temat kryesore që do të trajtohen janë zbuluar në rrjetet sociale nga vetë kryeministri Edi Rama. Në një postim pasditen e djeshme Rama tha se në këtë mbledhje do të flitet për qeverisjen, ligjin, korrupsionin, si dhe për një nismë të re kombëtare për Shqipërinë 2030.
Kjo mbledhje pritet që të jetë publike, ku do të adresohen dhe mesazhet e Ramës si ndaj deputetëve, ashtu edhe ndaj ministrave të qeverisë. Prej kohësh Partia Socialiste ka nisur një riorganizim në të gjitha strukturat e saj, me qëllim përgatitjen për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të cilat do të mbahen përpara verës së vitit të ardhshëm.
Ndërkohë, në Parlament prioritet është Reforma Zgjedhore, për të cilën palët ende nuk kanë gjetur rrugën drejt ujdisë, por edhe rishikimi i Reformës në Drejtësi, diskutimet për të cilën pritet të rikthehen në Parlament gjatë javës së ardhshme.
Ky takim i kryeministrit Edi Rama me grupin parlamentar dhe qeverinë vjen pak ditë para nisjes së një turi në diasporë për të takuar shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në vendet fqinje dhe jo vetëm. Ndalesa e parë do të jetë në Athinë, në datën 12 Maj, ndërsa do të përmbyllet me një takim me shqiptarët e Londrës./ZËRI