Politikë

VENDIMI I PLOTË- Kushtetuesja shfuqizon pjesërisht ligjin për studentët e mjekësisë

Fillimisht Gjykata është kundër mbajtjes së diplomës për 5 vite, duke u shprehur se kjo kohë nuk është në përputhje me kriteret e punës, trajtimin financiar apo dhe sigurimin e mjeteve të nevojshme të jetesës.

k.m.
VENDIMI I PLOTË- Kushtetuesja shfuqizon pjesërisht ligjin për
Foto ilustruese

TIRANË- Gjykata Kushtetuese vendosi më 25 janar që të shfuqizonte pjesërisht ligjin për studentët e Mjekësisë. Tashmë ata nuk mund të detyrohen që të punojnë për 5 vite brenda Shqipërisë, në mënyrë që t'u jepet diploma. Gjykata Kushtetuese ka zbardhur sot të plotë vendimin dhe argumentat e saj lidhur me ligjin. Fillimisht Gjykata është kundër mbajtjes së diplomës për 5 vite, duke u shprehur se kjo kohë nuk është në përputhje me kriteret e punës, trajtimin financiar apo dhe sigurimin e mjeteve të nevojshme të jetesës. Ndaj edhe kërkohet që të ulet afati i kërkuar, duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, por të gjitha ndryshimet duhet që të kryehen brenda 3 muajve. Në argumenta, të gjithë anëtarët e kanë cilësuar si shumë të ashpër vendimin e qeverisë. 

"Çmoj se shteti mund të merrte masa të tjera efektive për të siguruar shërbimin shëndetësor në vend dhe për të evituar largimin e mjekëve jashtë vendit, duke e bërë më tërheqëse ofertën e punës, sipas mundësive të vetë ekzekutivit në këto drejtime punësimi. Mundësia për marrjen e masave të tjera efektive është pranuar në seancë plenare publike edhe nga përfaqësuesi i Këshillit të Ministrave, kur është pyetur se si do të sigurohej shërbimi shëndetësor në vend nëse të gjithë studentët e Fakultetit të Mjekësisë në UMT nuk do të pranonin të lidhnin marrëveshjet, por do të pranonin pagesën e vlerës së plotë të kostos së studimeve. Ndaj mendoj se në një situatë të tillë, ku, referuar asaj që u soll në vëmendje të Gjykatës nga vetë ky subjekt i interesuar, gjendemi përpara një përqindjeje të ulët vakancash në sistemin shëndetësor përkundrejt nevojave për shërbimin publik, e për më tepër nuk jemi përpara situatave pandemiko-globale ose të jashtëzakonshme, të cilat do të kërkonin ndërhyrje të tilla e të menjëhershme në kufizime, vlerësoj se ligjvënësi i kishte të gjitha mundësitë të analizonte ndërhyrje alternative me të buta në këtë drejtim."

Vendimi i plotë:

Vendim nr. 1 datë 25.01.2024

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga: Holta Zaçaj, Kryetare, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Elsa Toska, Sonila Bejtja, Sandër Beci, Ilir Toska, Genti Ibrahimi, Marjana Semini, anëtarë, me sekretare Enina Kotoni, në datën 21.12.2023 mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen nr. 1 (Nj) 2023 të Regjistrit Themeltar, që u
përket:

KËRKUES: NJË GRUP DEPUTETËSH TË KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (JO MË PAK SE NJË E PESTA E DEPUTETËVE), përfaqësuar nga avokatët Semir Sali dhe Esmeralda Maillard (Ndoci), me autorizim.

NJË GRUP STUDENTËSH TË FAKULTETIT TË MJEKËSISË TË UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË TIRANË, përfaqësuar nga avokatët Semir Sali dhe Esmeralda Maillard, me prokurë të posaçme.

SUBJEKTE TË INTERESUARA: KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, përfaqësuar nga Mimoza Arbi dhe Gazmend Bici, me autorizim. KËSHILLI I MINISTRAVE, përfaqësuar nga Herald Jonuzaj, Voltisa Koçi dhe avokatja e shtetit Irma Qosja, me autorizim. OBJEKTI: Shfuqizimi i nenit 4, pikat 1, shkronja “c”, 2, shkronja “b”, 3, shkronja “b” dhe nenit 5, fjalia e parë, të ligjit nr. 60/2023, datë 21.07.2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Vendim i Gjykatës Kushtetuese

Kërkues: Një grup deputetësh të Kuvendit (jo më pak se 1/5 e deputetëve) dhe një grup studentësh të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Mjekësisë Tiranë Pezullimi i zbatimit të ligjit nr. 60/2023, datë 21.07.2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”, deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

BAZA LIGJORE: Nenet 4, 17, 18, 26, 49, 57, 131, pika 1, shkronjat “a” dhe “f” dhe 134, pika 1, shkronjat “c” dhe “i”, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë (Kushtetuta); nenet 4 dhe 14 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) dhe neni 2 i Protokollit nr. 1 të saj; ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar (ligji nr. 8577/2000).

GJYKATA KUSHTETUESE, pasi dëgjoi relatoren e çështjes Marjana Semini, mori në shqyrtim parashtrimet me shkrim të kërkuesve, që kanë kërkuar pranimin e kërkesës, prapësimet me shkrim të subjekteve të interesuara, Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (Kuvendi) dhe Këshillit të Ministrave, që kanë kërkuar rrëzimin e kërkesës, mendimet me shkrim të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi (Komisioneri) dhe të Universitetit të Mjekësisë Tiranë (UMT), si dhe diskutoi
çështjen në tërësi,

V Ë R E N:

I-Rrethanat e çështjes

1. Në datën 21.07.2023 Kuvendi, në bazë të propozimit të Këshillit të Ministrave dhe në zbatim të procedurës së përshpejtuar parlamentare, ka miratuar ligjin nr. 60/2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë” (ligji nr. 60/2023). Ky ligj është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 123, datë 16.08.2023 dhe ka hyrë në fuqi 15 ditë pas botimit të tij.

2. Duke pasur si qëllim ruajtjen e burimeve njerëzore, profesionistëve shëndetësorë në vend, por edhe rritjen e interesit të tyre për të punuar në sektorin shëndetësor publik si pjesë e rritjes së investimeve në shëndetësi, ligji nr. 60/2023 ka parashikuar një mekanizëm përmes të cilit, studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Vendim i Gjykatës Kushtetuese. Kërkues: Një grup deputetësh të Kuvendit (jo më pak se 1/5 e deputetëve) dhe një grup studentësh të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Mjekësisë Tiranë përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë u ofrohet një trajtim i veçantë, i cili në kuptim të nenit 3, pika 1, të ligjit, përfshin punësimin me prioritet të tyre pas përfundimit të studimeve, si dhe të drejtën për të përfituar nga programet sociale të strehimit.

3. Ky trajtim përfitohet si nga kandidati që pranohet rishtazi në programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë, ashtu edhe nga studenti i vitit të dytë deri në vitin e katërt akademik dhe nga studenti i vitit të pestë ose të gjashtë (student i ndërmjetëm) në këtë program, kur pranon të nënshkruajë marrëveshje me ministrinë përgjegjëse për arsimin, ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë dhe institucionin e arsimit të lartë publik. Sipas marrëveshjes, studenti duhet të punojë në profesionin e mjekut pas përfundimit të studimeve për, respektivisht, jo më pak se pesë vjet, tre vjet dhe dy vjet në institucionet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë, si dhe pranon kalimin zyrtarisht të diplomës përkatëse të arsimit të lartë nga institucioni publik i arsimit të lartë, ku ka përfunduar studimet, në institucionin shëndetësor ku punësohet deri në “shlyerjen e detyrimeve për punësim” sipas afatit, përkatësisht pesë, tre dhe dyvjeçar, me të drejtën që pas përmbushjes së detyrimit të punësimit të tërheqë diplomën universitare (neni 4, pika 1, shkronja “c”, pika 2, shkronja “b”, pika 3, shkronja “b”, i ligjit nr. 60/2023). Ndërkohë, studenti që nuk pranon të nënshkruajë marrëveshjen sipas përcaktimeve të pikave 2 dhe 3 të nenit 4, paguan vlerën e plotë të kostos së studimeve (neni 5 i ligjit nr. 60/2023).

4. Për zbatimin e këtyre masave janë miratuar disa akte nënligjore, përkatësisht vendimi nr. 527, datë 07.09.2023 i Këshillit të Ministrave për përcaktimin e metodologjisë së kostos së studimeve për programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë; vendimi qarkullues nr. 109, datë 06.10.2023 i Senatit
Akademik të UMT-së dhe vendimi nr. 62, datë 09.10.2023 i Bordit të Administrimit të UMT-së për miratimin e kostos së studimit të programit të integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” në UMT. Sipas këtyre akteve rezulton se kostoja e studimit të programit të integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” është 248,975 (dyqind e dyzet e tetë mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e pesë) lekë për student.

5. Në datën 19.10.2023 një grup deputetësh të Kuvendit, në cilësinë e subjektit kushtetues jo më pak se një e pesta e deputetëve (kërkuesi), i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese (Gjykata) me kërkesë me objekt shfuqizimin e nenit 4, pikat 1, shkronja “c”, 2, shkronja “b”, 3, shkronja “b” dhe nenit 5, fjalia e parë, të ligjit nr. 60/2023, si dhe pezullimin e zbatimit të tij deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës. 

Vendim i Gjykatës Kushtetuese

Kërkues: Një grup deputetësh të Kuvendit (jo më pak se 1/5 e deputetëve) dhe një grup studentësh të Fakultetit tëMjekësisë të Universitetit të Mjekësisë Tiranë

6. Në datën 20.10.2023 një grup studentësh të Fakultetit të Mjekësisë në UMT, konkretisht shtetasit Anxhela Gjini, Alesia Cara, Diora Hoxha, Argisa Troka, Xhesika Xhebexhiu, Juri Taullau, Sindy Allamani, Isabela Tabaku, Dea Guri, Natali Bliu, Joel Plaku, Mikel Seferi, Reant Kullaj, Brunelio Fejzulla, Viki Zaçlli, Rei Haluli, Feruze Agalliu, Oresti Çaça, Marjo Rabiaj, Paulo Qesargjoni, Endi Muçi, Arbëri Shehu, Samuel Dërka, Thimi Shkarpa, Kristina Çelanji, Athina Prifti, Almira Tota, Zino Veleshnja, Erdi Podo, Anxhela Miraka, Gani Krrashi, Klevi Gugallja, Flavio Elezi, Ledion Mane, Eugen Lazaj, Igli Hoxhaj, Arlind Kasëmi (kërkuesi ose një grup studentësh), i janë drejtuar Gjykatës me ankim kushtetues individual me të
njëjtin objekt.

7. Me vendimet e datës 08.11.2023 kolegjet e Gjykatës kanë vendosur kalimin e këtyre çështjeve për shqyrtim në seancë plenare publike. Po kështu, duke pasur parasysh natyrën e pretendimeve të parashtruara në kërkesë, si dhe të drejtat kushtetuese të përfshira në këtë çështje, është vlerësuar marrja e mendimit me shkrim nga Komisioneri dhe UMT-ja.

8. Në zbatim të nenit 19, pika 2, të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, nenit 1, pika 2, të ligjit nr. 8577/2000 dhe nenit 57 të Kodit të Procedurës Civile, Mbledhja e Gjyqtarëve, me vendimin e datës 14.11.2023, ka vendosur bashkimin e çështjeve në një çështje të vetme. Me vendim të po kësaj date, Mbledhja e Gjyqtarëve ka vendosur edhe pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 60/2023, deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të
Gjykatës.

II-Pretendimet në Gjykatën Kushtetuese

9. Kërkuesit kanë pretenduar se dispozitat ligjore të kundërshtuara cenojnë:

9.1. Parimin e sigurisë juridike, të garantuar nga neni 4 i Kushtetutës, pasi studentët që ndjekin programin e integruar të ciklit të dytë në Fakultetin e Mjekësisë në UMT cenohen si pasojë e detyrimeve të parashikuara në dispozitat e kundërshtuara të ligjit nr. 60/2023, pasi me nënshkrimin e marrëveshjes kërkohet kalimi zyrtarisht i diplomës përkatëse nga institucioni publik i arsimit të lartë në institucionin shëndetësor, ku studentët e diplomuar punësohen deri në shlyerjen e detyrimeve për
punësim sipas afateve përkatëse, ndërkohë që ata që nuk pranojnë të lidhin marrëveshjen, kanë detyrimin të paguajnë vlerën e plotë të kostos së studimeve. Studentët e ndërmjetëm kanë pritshmëri për mosrritjen në mënyrë eksponenciale të
tarifës së studimit. Të njëjtën pritshmëri kanë edhe studentët me mesatare mbi notën 6 për të përfituar nga tarifa e përgjysmuar e shkollimit. Dispozitat e kundërshtuara

Vendim i Gjykatës Kushtetuese

Kërkues: Një grup deputetësh të Kuvendit (jo më pak se 1/5 e deputetëve) dhe një grup studentësh të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Mjekësisë Tiranë kanë sjellë një përkeqësim serioz të situatës ligjore të studentëve që dëshirojnë të ruajnë status quo-në. Studentët, sidomos ata që ndjekin vitet e ndërmjetme, i kanë bërë përllogaritjet mbi bazën e kostos së plotë të studimeve, si dhe mundësive të tyre ekonomike për të përballuar pagesën e tarifës përkatëse çdo vit para se të fillonin studimet. Ndryshimi i papritur i tarifës, duke e pesëfishuar ose dhjetëfishuar atë, cenon edhe parimin e parashikueshmërisë së ligjit. Përkeqësimi i situatës ekonomike e juridike të studentëve që nuk dëshirojnë të lidhin marrëveshje nuk i shërben interesit publik, pasi sigurimi i shërbimit shëndetësor nuk do të arrihet nga pagesa e vlerës së plotë të kostos së studimeve për këta studentë, por do të shkojë në zëra të ndryshëm të buxhetit. Po kështu, nuk i shërben interesit publik as kufizimi i tërheqjes së diplomës.

9.2. Të drejtën për punë dhe atë për arsimim, të garantuara nga nenet 49 dhe 57 të Kushtetutës, në kundërshtim me kriteret e nenit 17 të Kushtetutës, pasi:

9.2.1. Përveç kriterit të kufizimit me ligj nuk përmbushet asnjë nga kriteret e tjera kushtetuese që lejojnë kufizimin. Ai nuk i përgjigjet as interesit publik, as objektivave të vetë ligjit nr. 60/2023 dhe masat e përdorura janë më të ashpra se sa duhet për të arritur objektivin e kërkuar. Studentëve që refuzojnë të lidhin marrëveshje u cenohet e drejta për arsimim dhe të drejtat e tjera të fituara. Ligjvënësi nuk jep asnjë arsye logjike se përse studentët që duan të ruajnë status quo-në duhet të paguajnë koston e plotë të studimit, e cila përbën një sanksion ekonomik, duke rrezikuar uljen e numrit të studentëve që ndjekin programin “Mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë, në favor të institucioneve private të arsimit të lartë. Ligjvënësi ka rritur tarifën e studimeve deri në koston e plotë të tyre pa një qëllim legjitim.

9.2.2. Kufizimi nuk është në përpjesëtim të drejtë me gjendjen që e ka diktuar, duke cenuar parimin e proporcionalitetit. Objektivi i ligjvënësit nuk është mjaftueshmërisht i rëndësishëm për të justifikuar kufizimin e së drejtës. Parashikimi i nenit 5 të ligjit nuk i përgjigjet objektivit kryesor të tij, që ka të bëjë me sigurimin e stafit mjekësor në periudhë afatgjatë. Nuk ekziston një situatë emergjente dhe nuk ka ulje të numrit të mjekëve në raport me popullsinë. Mjetet e përdorura nuk janë të domosdoshme, që do të thotë se synimi mund të arrihej me mjete të tjera dhe stimuj të tjerë ekonomikë ose socialë, pa cenuar të drejtat themelore të studentëve. Garantimi i shërbimit mjekësor nuk ka asnjë

Vendim i Gjykatës Kushtetuese

Kërkues: Një grup deputetësh të Kuvendit (jo më pak se 1/5 e deputetëve) dhe një grup studentësh të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Mjekësisë Tiranë lidhje me pagimin e vlerës së plotë të kostos së studimeve, ndaj ndërhyrja nuk është e përshtatshme për realizimin e qëllimit të synuar dhe nuk e ndikon atë. Sanksioni ekonomik i vendosur në nenin 5 të ligjit nr. 60/2023 i detyron studentët në gjendje të vështirë ekonomike që të pranojnë të lidhin marrëveshjen ose ndëshkon studentët që nuk pranojnë ta nënshkruajnë atë, duke rritur në mënyrë eksponenciale tarifën e studimit. Masat nuk janë të lidhura në mënyrë të arsyeshme me objektivin, janë arbitrare, të padrejta dhe të bazuara mbi vlerësime
alogjike. 

9.2.3. Edhe masa e mbajtjes së diplomës për të mundësuar zbatimin e ligjit është e pajustifikueshme, pasi shteti i ka të gjitha mjetet ligjore për të garantuar zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar me studentët. E drejta e çdo studenti për të përfituar diplomën pas përfundimit të studimeve është e drejtë themelore që nuk mund dhe nuk duhet të lidhet me suksesin e zbatimit të marrëveshjes, e cila përbën barrë të ligjvënësit dhe është e patransferueshme te individi.

9.3. Parimin e barazisë përpara ligjit dhe mosdiskriminimit, të garantuar nga neni 18 i Kushtetutës, pasi duke rritur në mënyrë eksponenciale tarifën e studimit për studentët që zgjedhin të mos nënshkruajnë marrëveshjen, neni 5 i ligjit nr. 60/2023 diskriminon indirekt studentët që nuk janë në gjendje ekonomike të paguajnë këtë vlerë, duke i vënë para dy mundësive që bien ndesh me vullnetin e tyre, pra të lidhin marrëveshje ose të ndërpresin studimet. Ky nen do të japë pasoja të papranueshme për sa i përket garancisë së nenit 18 të Kushtetutës për mbrojtjen nga diskriminimi për shkak të gjendjes ekonomike, pasi studentët në gjendje të vështirë ekonomike do të jenë të detyruar të lidhin marrëveshje për të pranuar (de facto) punë të detyruar, ndërkohë që kolegët e tyre do të mund të “shpëtojnë” duke paguar tarifë më të lartë shkollimi. Ligji parashikon diskriminimin pozitiv për studentët që pranojnë të lidhin marrëveshje sipas nenit 4 të tij, ndërkohë që e kundërta ndodh për ata që nuk pranojnë nënshkrimin e saj. Ai diskriminon edhe studentët që përfitojnë aktualisht ulje të tarifës së studimeve për shkak të notave të larta, sikurse studentët që ndjekin studimet në institucionet e arsimit të lartë publik, në raport me ata në institucionet e arsimit të lartë jopublik, të cilët nuk përfshihen në fushën e zbatimit
të këtij ligji.

9.4. Të drejtën për të mos iu nënshtruar punës së detyruar, të garantuar nga nenet 26 dhe 49 të Kushtetutës dhe neni 4, pika 2, i KEDNJ-së, pasi vënia para zgjedhjes për

Vendim i Gjykatës Kushtetuese

Kërkues: Një grup deputetësh të Kuvendit (jo më pak se 1/5 e deputetëve) dhe një grup studentësh të Fakultetit të
Mjekësisë të Universitetit të Mjekësisë Tiranë nënshkrimin e marrëveshjes, sipas nenit 4 të ligjit nr. 60/2023, e studentëve që
dëshirojnë të ruajnë status quo-në dhe nuk janë ofruar vullnetarisht për nënshkrimin e saj, ose në të kundërt duhet të përballen me vlerën e plotë të kostos së studimeve sipas nenit 5 të tij, përbën kërcënim për dënim të çdo lloji për ta. Ky është një rast par exellence ku kjo kategori studentësh detyrohet me anë të mjeteve ekonomike për të kryer punë të detyruar kundër vullnetit. Edhe për studentët që nënshkruajnë marrëveshje barra është e shpërpjesëtuar, pasi ata kanë detyrimin për të punuar 2 deri në 5 vjet, në varësi të vitit akademik që ndjekin në momentin e nënshkrimit të
saj.

Anëtare: Sonila Bejtja

Poll

MOS HUMB