Politikë

PS tur në Tiranë! Veliaj: Me 'diasporën', fitojmë kryeqytetin me mbi 100 mijë vota! Spiropali: Dhuna i ul votat opozitës

Takimet janë në kuadër të parapërgatitjes për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen vitin që vjen.

k.m.
PS tur në Tiranë! Veliaj: Me 'diasporën', fitojmë
Pamje nga mbledhja

TIRANË- Drejtuesit politikë të Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, nisën sot një tur në të gjithë qarkun për t’u takuar me anëtarët socialistë të Kamzës, Vorës, Kavajës dhe Rrogozhinës. Takimet janë në kuadër të parapërgatitjes për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen vitin që vjen. Në fjalën e saj, një nga tre drejtueset politike të qarkut, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali komentoi edhe opozitën, duke paralajmëruar se dhuna do t'u ulë votat.

“Sa më të dhunshëm, sa më agresivë, sa më të paarsyeshëm…Aq më pak vota do të marrin, në Kamëz, në qarkun Tiranë e kudo Ne do flasim për veten, puna jonë duhet të flasë për ne dhe unë mezi pres të punoj me secilin prej jush, në të gjitha qëndrat e votimit, për t’i dhënë një fitore PS, Edi Ramës, në Bashkinë e Kamzës, në Bashkinë e Kavajës, në Bashkinë e Rrogozhinës, në Bashkinë e Vorës, patjetër në Bashkinë e Tiranës, ku Erioni dhe Ogerta po punojnë së bashku, dhe kudo tjetër në Shqipërinë tonë, e cila në 2030-ën, duhet të jetë anëtare e Bashkimit Europian dhe nuk mund të mbahet peng nga askush dhe për asnjë arsye.”

Ndërkaq, Veliaj nënvizoi se ambicia për mandatin tjetër të PS është vota e diasporës, duke kërkuar angazhimin e strukturave një angazhim edhe më të madh për të siguruar mbështetjen e tyre.

“Mesazhi i tretë ka të bëjë me votën e emigrantëve. Ne kemi potencialin për një Parti Socialiste të dytë, për një skuadër si kjo, të dytë, që jeton jashtë vendit. Në fakt, filozofia nuk duhet të jetë të shkojmë jashtë e t’i gjejmë ku votojnë. Filozofia duhet të jetë krejt ndryshe. Të gjejmë të gjitha familjet tona, kushërinjtë tanë, komshinjtë, krushqitë tona në secilën prej organizatave tona, duke ditur që janë të regjistruar, dhe duke i gjetur nga këtu, për t’i inkurajuar që, kur të hapet dritarja e KQZ-së për regjistrimin e emigrantëve, ne që aty do të duhet ta dimë sa do jetë fitorja jonë. Në Tiranë fituam me 60 mijë vota, në Kamzë me 12.500 vota, këtu me 6000 vota, në total e kemi të gjithë potencialin që, me ndihmën e diasporës, të fitojmë me mbi 100 mijë vota ndaj rivalëve tanë,”- deklaroi Veliaj.

Në këtë takim morën pjesë edhe deputetja e PS, Lindita Nikolla dhe kryetari i Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli. Veliaj dhe Spiropali zhvilluan takime edhe me strukturat socialiste të Vorës, Rrogozhinës dhe Kavajës./ZËRI

Poll

MOS HUMB