
TIRANË- Një grup pune që është ngritur vetëm nga socialistët në Kuvend, dhe që drejtohet nga deputeti Eduard Shalsi, ka ndezur debatin se mazhoranca po kërkon që ushtrojë kontroll mbi SPAK, e kjo për më ekstremistët do të thotë edhe fundi i Reformës në Drejtësi. Po nga ka lindur ky debat, që ka sjellë reagime nga deputet të të dyja palëve? Pranë Kuvendit është ngritur një grup pune, që sipas socialistëve ushtron një prej detyrave që ky institucion ka, atë të kontrollit dhe monitorimit të punës së institucioneve të tjera, përfshirë dhe ato të drejtësisë.
“E gjithë kjo iniciativë synon që parlamenti të ngrihet në lartësinë që i njeh kushtetuta por edhe të ndërmarrë në këto momente të rëndësishme të anëtarësimit në BE edhe një rol akoma më të rëndësishëm. Për këtë duhen kapacitete për shkak të volumit të punës së shtuar, për shkak të dhjetëra ligjeve por duhet mbi të gjitha ekspertizë.
Ekspertiza është mjaft e rëndësishme. Ndaj është e domosdoshme që të kalojë në një nivel të ri puna e parlamentit, puna e komisioneve. Domosdoshmëria e përfshirjes së profesionistëve, ekspertëve është e tillë që nuk do të mund të përmbushë të gjitha pritshmëritë e qytetarëve apo ato që lindin nga procesi i integrimit”, tha Eduard Shalsi gjatë ditës së djeshme në një intervistë për Top Channel.
Por sa i prek ky modernizim organet e pavarura të cilat raportojnë në Kuvend?
“Roli dhe rolet e Kuvendit dhe përgjegjësitë e kuvendit janë të përcaktuara. Nuk do të mund të marrë ndonjë rol shtesë Kuvendi. Ajo që do të duhet të ndodhë është që të rriten kapacitetet për të monitoruar, skrutinuar, kontrolluar punën e qeverisë dhe të institucioneve të ndryshme të pavarura siç bëjnë”, shtoi Shalsi.
Ndërkohë që i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i deputetes Jorida Tabaku, sipas të cilës ky grup pune i njëanshëm, nuk tregon gjë tjetër veçse frikën që kanë socialistët nga SPAK. Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Tabaku tha se ngritja e një grupi pune në Kuvend për të monitoruar institucionet e pavarura, është shkelje e çdo balance të Kuvendit.
“Frika ndaj SPAK po shtyn PS të kontrollojë drejtësinë! Ngritja e një e grupi pune nga një forcë e vetme partiake, pra nga Partia Socialiste, për të monituar institucionet e pavarura se si plotësojnë detyrimet e procesit të integrimit më së pakti janë shqetësuese, më së shumti janë shkelje e çdo balance të mbetur të kontrollit në parlament.
Parlamenti prej kohësh ka nisur të humbasë atë funksionin e kontrollit dhe balancës ndaj qeverisë duke u shndërruar nga instrument kontrollues në një pushtet noterial për qeverinë. Gjithsesi as në ëndrrat më të këqija nuk qe menduar që Grupi Parlamentar PS do kishte pushtetin absolut për të kontrolluar pushtetin gjyqësor ndërkohë që është noteri i qeverisë. E gjithë kjo histori që zhbën tërësisht detyrën më parësore kushtetuese të parlamentit më së paku është prishja e çdo fije ekuilibri që i ka mbetur Kuvendit.
Raportin e plotësimit të kushteve të BE, raportimin për kalendarët e punës, detyrimet nga progres raporti etj ligji ja cakton së pari Këshillit Kombëtar të Integrimit që u ngrit posaçërisht pas një dakordësie bipartiane dhe me frymëzimin nga eksperienca më e mirë e rajonit. Qëllimi i këtij Këshilli ka qenë dhe mbetet raportimi i plotë i institucioneve të pavarura, përfshirë dhe ato të drejtësisë, për punën e tyre në raport me kriteret e BE. Ndërkohë që raportimet vjetore periodike dhe të detajuara kryhen çdo vit pranë komsioneve parlamentare që i kanë pjesë të punës të rregulluar me ligj dhe rregullore kuvendi. Në ndërkohë një ligj i miratuar me dakordësi unanime dhe mbi të gjitha me përshëndetjen e gjithë BE ka qenë ligji për rritjen e rolit të kuvendit në procesin e integrimit, që garanton një përfshirje edhe më të madhe parlamentare dhe jo partiake në këtë proces.
Ky mekanizëm i propozuar shkel rolin e kuvendit, shkel ligjin por shkel dhe pariminin e pavarësisë së këtyre institucioneve. Parim për të cilin ne ndërmorëm një reformë të madhe që ndryshoi totalisht gjithë sistemin. Tanimë, është e kuptueshme për çdokënd që pushteti i madh ka prodhuar një korrupsion të madh mbi të cilin ngrihet edhe realiteti i një mazhorance jo aq natyrale. Për këdo që sheh me gjakftohtësi hetimet për korrupsion ndaj mbi 50% të PPP-ve, hetime të hollësishme financiare karshi pushtetarëve e kupton alarmin e një mazhorance që ka si synim të kontrollojë nesër SPAK.
Shumëkush e ka kuptuar këtë përpjekje qysh kur dëgjoi deklaratat se Shqipërisë nuk i duhej një Republikë e Gjyqësorit dhe Prokurorëve. E megjithatë e gjitha kjo që po qarkullon mban era korrupsion, korrupsion pushteti. E megjithatë ajo që sot po përflitet gjithnjë e më qartë mban era anti-kushtetuteshmëri dhe anti-demokraci pasi asnjë parlament nuk mund të thërrasë institucionet e pavarura t’i raportojnë një partie politike! Të asaj partie që ëndërron si të kapë SPAK-un dhe më pas zgjohet dhe na rrëfen me mburrje si gjeli majë plehut të inceneratorëve se si e njëjta parti ka flamurin e Reformës në Drejtësi.
Përtej frikës, trembjes dhe zhgjëndrrave me SPAK që shohin të gjithëpushtetshmit arrogantë, Shqipëria nuk ua ka këtë borxh. Aq më tepër kur presim nga dita në ditë hapjen e negociatave për dy kapituj, kur Kuvendi pret të nisë rolin e tij në këtë proces. shqiptarët nuk kanë luksin që të bëjnë “mbrapa kthehu” për hatrin e Partisë që ashtu ka një hall me Drejtësinë e Re dhe të pavarur. Askush ska ndërmend të kthehet pas tek partia shtet e shteti parti edhe drejtësi!
E këmbëngulja që të ndodhë e tregon qartë se kush ka hallin me SPAK. Shqipëria duhet të ndahet nga kjo rrugë një herë e përgjithmonë”, shkruan Tabaku në reagimin e saj.
Një përgjigje për të e ka dhënë ministrja e shtetit për marrëdhënien me parlamentin, Elisa Spiropali, e cila e konsideron shqetësimin e një pjesë të opozitës dhe jo vetëm një tymnajë që hidhen nga rrugica ku banon Berisha. Sipas saj Reforma në Drejtësi do të vijojë të mbetet kryereforma e socialistëve.
“Një tym ka nisur nga poshtë ballkonit të rrugicës mbrapa Piramidës dhe është përhapur nëpër mexhelis me mllefin e zellshëm kundër Edi Ramës dhe PS, për t’u hedhur shqiptarëve në sy hirin e një plani djallëzor “të socialistëve të alarmuar kundër Spakut”!
Kjo është nga ato të pavërtetat që janë aq qesharake sa nuk ia vlen t’i konsiderosh. Por, vlen sot për t’i këshilluar të gjithë të interesuarve t’i kthehen fjalës së kryeministrit në Kongresin e 8 dhjetorit. Aty do t’i gjejnë edhe nga nisen planet që po bëjnë socialistët, për të cilat drejtuesit politikë, kabineti qeveritar dhe drejtuesit e komisioneve të Kuvendit, u mblodhën dy ditë në Lezhë.
Tre janë drejtimet e punës dhe planeve tona “djallëzore” për sa më lart:
1) Garantimi i pakthyeshmërisë së progresit të bërë deri këtu;
2) Modernizimi i çdo gjymtyre e organi të shtetit;
3) Rritja e kapitalit njerëzor të administratës publike.
Thënë sa më lart, Reforma në Drejtësi është flamuri i të gjitha reformave tona, i cili jo nuk preket, po vetëm do të lartësohet me mbështetjen tonë të palëkundur dhe në bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë strategjikë. Ndërsa Spaku sot është një ndër arsyet e krenarisë sonë për atë flamur, i cili nuk do të ishte ngritur kurrë në këtë vend, pa Edi Ramën dhe Partinë Socialiste.
Partia Socialiste nuk është as në ballkon, as në ranishte, po në krye të një lufte që vazhdon, për drejtësinë deri në fund, për Shqipërinë 2030.
Të tjerat janë tym nga ballkoni mbi rrugicë, thashetheme nga ranishtja në gji të Lalzit dhe jerm nga ëndërrzgjëndra e Lulit”, shkruan Spiropali në postimin e saj.
Tymnajë apo jo, grupi i punës së socialistëve në Kuvend deri tani nuk e ka publike veprimtarinë e tij, dhe mbetet për t’u parë nëse monitorimi dhe kontrolli i punës së institucioneve të drejtësisë do të cënojë punën e SPAK. /ZËRI