Politikë

PD-PS replika për rritjen e pagave të gjyqësorit

Në diskutime dhe debate u përfshinë dhe ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete, deputeti socialist Erion Braçe dhe demokratja Jorida Tabaku. Numri një i Ekonomisë tha se "Projekligji për fondin e pensionit privat" do shërbejë për nxitjen e kursimeve për moshë pleqerie.

k.m e.k
PD-PS replika për rritjen e pagave të gjyqësorit
Pamje nga Kuvendi

TIRANË-Deputetët e opozitës kërkuan këtë të enjte në Kuvend shtyrjen e shqyrtimit të shtesave dhe ndryshimeve në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe zv.kryetari i grupit të Partisë Socialiste, Toni Gogu, janë bërë pjesë e një debati në Kuvend, në lidhje me rritjen e pagave për gjykatësit e Kushtetueses.

Demokrati Gazment Bardhi deklaroi se grupi i PD nuk është kundër rritjes së pagave por sqaron se vetë gjyqtarët nuk kanë bërë kërkesë për rritje ndërkohë që tha se duhet të shihet efiçenca e punës së gjyqtarëve kushtetues.

Gazment Bardhi: Nuk jemi kundër asnjë ligji që rrit eficencën, përkundrazi jemi në grup pune ku po punojmë prej disa muajsh në një paketë ndryshimesh në ligjet e reformës në drejtësi, në bashkëpunim me partnerët. Ne kemi rënë dakord që nuk do të pranojmë asnjë ndryshim që kërkohet për privilegje apo përfitime shtesë të gjyqtarëve apo prokurorëve, por do të fokusohemi te eficenca.

Nga ana tjetër socialisti Toni Gogu deklaroi se Partia Socialiste është dakord për ta shtyrë këtë projektligj për një seancë tjetër. Në përgjigje të Bardhit, Gogu tha se Gjykata Kushtetuese e ka sjellë projektin në Kuvend në 21 qershor.

Toni GoguGjykata Kushtetuese ka ndjekur procedurën ndaj ne sot e sjellim këtë propozim, por jemi plotësisht dakord ta shtyjmë në një seancë tjetër. Gjykata Kushtetuese e ka bërë këtë gjë kur ne miratuam ligjin për pagat. Gjyqtarët kushtetues gjithmonë kanë qenë më të mirëpaguarit për shkak të punës, sepse garantojnë sundimin e ligjit në këtë vend. Gjykata Kushtetuese nuk është gjykatë e sistemit gjyqësor, këtë e dinë jashtëzakonisht mirë deputetët e opozitës sepse siguron që të drejtat e njeriut dhe procesi i rregullt ligjor të respektohen siç thotë Kushtetuta.

Po ashtu një pikë e nxehtë e debatit kanë qenë dhe diskutimet në lidhje me "Projekligjin për fondet e pensionit privat. Në përgjigje të akuzave të deputetëve demokratë Toni Gogu iu drejtua duke iu thënë se i shkojnë nga pas pensionistit më të mirëpaguar në Shqipëri.

Toni Gogu: Pensionistin më të mirëpaguar në Shqipëri, që e keni në radhën tuaj, te cilin ua nxorën në pension politik fillimisht aleatët tanë strategjik. Ju me një vendim unanim grupi gjithashtu e nxorët në pension politik. Po kaq shumë i lakmuat përfitimet e pensionit te tij politik, pra votat, mbështetësit, sa tani jeni rimartuar me të. I keni marrë shqiptarëve ore të tëra sepse po grindeni se kush do të përfitojë me shume nga pensionisti politik.

Në diskutime dhe debate u përfshinë dhe ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete, deputeti socialist Erion Braçe dhe demokratja Jorida Tabaku. Numri një i Ekonomisë tha se "Projekligji për fondin e pensionit privat" do shërbejë për nxitjen e kursimeve për moshë pleqerie.

Ervin MeteFondi me pjesëmarrje të mbyllur mund të krijohet nga një punëdhënës, disa punëdhënës, ose një entitet i organizuar si bashkim punëdhënësish, sindikatë, bashkime sindikatash apo shoqatë, në cilësinë e sponsorit të cilët krijojnë një fond pensioni me pjesëmarrje të mbyllur. Pjesëmarrja në këtë fond është e kufizuar vetëm për të punësuarit apo anëtarët e subjekteve të mësipërme.

Ndërkohë deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku u shpreh se nuk do të marrë pjesë në votim. Sipas saj ligji nuk pasqyron realitetin ku ndodhet Shqipëria dhe dramën e largimeve masive nga vendi.

Jorida TabakuKam rezerva për ligjin, dhe nuk do të marrë pjesë në votim. Ligji nuk njeh realitetin. Që është kriza e radhës e popullsisë, që do evidentohet nga censi. Largimi masiv i shqiptarëve në 32 vjet, sidomos 2015. Shqiptarët po e largojnë polltikën me largi për fat të keq, duhet ta bëbin me votë. Skema e pensioneve nuk ka rregullaur punën në të zezë, ka stimuluar.

Ndërsa deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe tha se ligji për pensionet vullnetare është një mundësi më shumë për një pleqeri të sigurt për shtresën e mesme. Sipas tij ligji përmbush kërkesën e çdo sipërmarrjeje. Ndërkohë nuk kurseu as kritikat.

Erion BraçeLigji për pensionet vullnetare, një mundësi më shumë për një pleqeri të sigurt për shtresën e mesme. Ligji përmbush kërkesën e çdo sipërmarrjeje. Mosfunksionimi i skemave deri tani ka pasur si shkak mungesën e besimit nga qytetarët. Në 5 vite janë bërë reforma pensionesh, por të pamjaftueshme.  Kushdo që ka ndërmarrë reformë pensionesh në këtë vend ka menduar për ata që do të dalin në pension dhe jo ata që kanë dale në pension. Reforma e pensioneve në 2014 rregulloi pensionet e atyre që dolën dhe do dalin në pension, por e pati të vështirë, e la deri te indeksimi, pensionin e atyre që kishin dalë në pension. Ata që kanë pension dënohen me pamjaftueshmëri. Të ardhurat nuk dalin, pavarësisht indeksimit që kemi bërë. Ata që dalin në pension tani kanë një pension shumë më të mire se të ngjashmit e tyre. Nga 2018 e këtej vetëm bonuse në fund të vitit janë paguar 300 milionë dollarë, nuk mjafton. Duhet zgjidhje e re për pensionet. Për ata që dalin në pension zgjidhja është dhënë, për ata që kanë dalë në pension zgjidhje nuk ka./

Në fund mes debateve dhe diskutimeve "Projektligji për fondet e pensionit privat" është miratuar vetëm me votat e maxhorancës. Në favor të tij votuan 76 deputetë, 3 votuan kundër dhe 3 të tjerë abstenuan.

Pr/ligji për Gjykatën Kushtetuee

Projektligji për rritjen e pagave për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese është propozuar nga qeveria në korrik të këtij viti. Sipas draftit të qeverisë paga e togave të zeza të GJK-së shkon deri në 7.6 milionë lekë, pagë që do të përfitohet nga kryetrarja e Gjykatës Kushtetuese Hota Zaçaj. Ndërkohë ky projekligj i qeverisë është kundërshtruar nga opozita, e cila e cilëson si një manovër të qeverisë për të “kapur” Kushtetuesen.

Pr.ligji për "fondet e pensionit privat"

Sipas Ministrisë së Financave ky projektligj ka si qëllim përmirësimin e bazës ligjore dhe rregullimin e tregut të fondeve të pensionit privat, krijimin e kushteve të favorshme për zhvillimin e këtij tregu dhe nxitjen e kursimeve për pension. Po ashtu projektligji parashikon politika lehtësuese fiskale për nxitjen e pjesëmarrjes në fondet e pensionit privat, të cilat pritet të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e tregut të pensioneve private.

Poll

MOS HUMB