
TIRANË-Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta në konferencën e sotme për shtyp ka deklaruar qëndrimin e tij dhe të partisë që drejton kundër projekt ligjit për shëndetin riprodhues. Meta ka kundërshtuar projektligjin duke u shprehur se gratë dhe vajzat shqiptare do të përdoren si rezerva për të prodhuar bebe me para. Ndër të tjera kreu i PL ka prejur edhe zgjatjen e kohës së abortit, duke marrë shembull SHBA-në, e cila morri vendimin për të ulur javët.
Ilir Meta: Po synojnë që të kthejnë vendin në qendër ndërkombëtare të uteruseve me këtë pr.ligj për riprodhimin. Përdorin gratë dhe vajzat shqiptare si rezervate të paguara për të prodhuar bebe. PE e konsideron euro-krim uteruesin me qira. Kjo është një tentativë për të mohuar përcaktimet sublime nënë-baba, dhe për t’i kthyer ata në shprehje numerike prindi 1 dhe 2. Pjesa më hidhur është zgjatja e kohës së abortit dhe nxitja e abortit të vajzat e reja. Gjykata Supreme në SBBA ka marrë vendim ekstrem për abortet për të ulur javët e abortit. Ky ligj paraqitet sot teksa vendi është goditur nga shpopullimi.
Aborti, kushtet e reja
Sipas projektligjit ndërprerja e shtatzënisë kryhet në një institucion shëndetësor të akredituar publik ose jo publik, që plotëson kushtet e përcaktuara në këtë ligj dhe në udhëzimin përkatës të ministrit përgjegjës për shëndetësinë. Ndërprerja vullnetare e shtatzënisë, kryhet sipas protokolleve të miratuara. Vendimi për ndërprerjen e shtatzënisë merret të paktën 3 ditë pas marrjes së informacionit. Në rast se afati prej 3 ditësh bën që të tejkalohen afatet e përcaktuara në këtë ligj, mjeku mund të vendosë që ky afat të mos respektohet. Ndërprerja vullnetare e shtatzënisë mund të kryhet brenda katërmbëdhjetë javëve të para të shtatzënisë, me kërkesë të gruas shtatzënë dhe duhet të plotësojë kërkesat e mëposhtme:
a) Të kryhet nga një mjek specialist obstetër gjinekolog.
b) Të kryhet me pëlqimin e shprehur me shkrim të gruas shtatzënë.
c) Të kryhet me pëlqimin e prindit ose kujdestarit ligjor për të miturat nën moshën 16 vjeç.
ç) Të miturat e pamartuara mbi 16 vjeç mund të japin vetë pëlqimin për ndërprerjen vullnetare të shtatzënisë, por të paktën njeri nga prindërit ose kujdestari ligjor duhet te informohen per vendimin e saj. Ky informim nuk do të realizohet nëse e mitura ka arsye bindëse se njoftimi do të çojë në rrezik të qartë të dhunës në familje, kërcënime, detyrim, keqtrajtim ose braktisje.
Mjeku të cilit i kërkohet ndërprerja vullnetare e shtatzënisë, që në vizitën e parë duhet të informojë gruan për rreziqet mjekësore që sjell ndërprerja e shtatzënisë, si dhe problemet e mundshme shëndetësore të ndërhyrjes mjekësore. Të drejtat, ndihmën dhe avantazhet e garantuara me ligj për familjen, nënën dhe fëmijën, si dhe për mundësitë e adoptimit birësimit të fëmijëve që priten të lindin.
Përveç abortit, përfshirja në projektligj i të drejtës së një gruaje për t’u bërë nënë zëvendësuese ka ngjallur mjaft debate. Nënë zëvendësuese quhet një grua që mbetet shtatzënë nëpërmjet një embrioni të krijuar me fertilizim invitro, dhe mban në uterusin e saj deri në lindje një fetus për llogari të një ҫifti tjetër, i cili e ka të pamundur të lindë fëmijë në rrugë normale. Aktualisht në Shqipëri fertilizimi invitro është rregulluar me ligj prej më shumë se dy dekadash, dhe kryhet thuajse tërësisht në institucionet shëndetësore private. Por në disa të tilla, edhe pse nuk parashikohet në ligj, prej disa kohësh kryhen edhe procedura të riprodhimit mjekësor të asistuar, me nëna zëvendësuese, ose siç quhet ndryshe “surrogacia”.
Ministria e Shëndetësisë në një reagim publik pas qëndrimeve kritike mbi elementët e rinj që sjell projektligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”, u shpreh se ky dokument i është nënshtruar konsultimit publik që do të ndihmojë në përthithjen e mendimeve të grupeve të interesit dhe garanton se në fund të këtij procesi projektligji do të reflektojë dhe përfundimet e nxjerra nga këto konsultime./ZËRI