
TIRANË- Ndërsa në Kuvend kishte nisur seanca plenare, deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji tha se garda e Republikës e la gjithë opozitën jashtë. Sipas tij, opozita nuk po lihet që të hyjë në sallë, sepse pushteti nuk do zëra, që të flasin sesi ndahet pasuria e vendit, toka e ajri për oligarkët.
“Si e lini ju kështu gjithë opozitën jashtë Kuvendit, jashtë vendit të tyre të punës? E bëni këtë që të mos flitet se qeveria ha qofte dhe ndan tokë, dete dhe ajër me oligakët. Nuk doni që të flasim sot që banda kriminale e Rilindjes ndan lekët me njëri-tjetrin dhe kreu i bandës është Edi Rama. Pasi i dalin nga vatha të vetët, përdor drejtësinë. Prandaj keni frikë, prandaj doni të na lini të gjithëve këtu. Ka nisur seanca. Kështu do veproni, duke u mbyllur si në vrimë të miut. Siç ka çuar në thertore disa nga bashkëpunëtorët e Rilindjes, do iu çojë me radhë të gjithë”, tha Salianji.
Edhe deputetët e tjerë të opozitës thanë se nuk mund të pengohen që të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues./ZËRI/