Politikë

Përfundon takimi i Ramës në Vlorë, Çuçi zbardh diskutimet për Reformën Territoriale

Në përfundim të takimit, drejtuesi politik i PS-së për qarkun e Vlorës Bledi Çuçi sqaroi se mbledhja nuk kishte si qëllim marrjen e vendimeve, por diskutimin me përfaqësuesit lokalë dhe shpjegimin e propozimit për reformën.

M.K.
Përfundon takimi i Ramës në Vlorë, Çuçi zbardh
Bledi Çuçi

Vlorë-Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në Vlorë një takim me strukturat e Partisë Socialiste, përfaqësues të pushtetit vendor dhe deputetë të qarkut, ku në fokus ishte Reforma Territoriale dhe ndryshimet që pritet të sjellë ajo.

Në përfundim të takimit, drejtuesi politik i PS-së për qarkun e Vlorës Bledi Çuçi sqaroi se mbledhja nuk kishte si qëllim marrjen e vendimeve, por diskutimin me përfaqësuesit lokalë dhe shpjegimin e propozimit për reformën.

“Sot nuk ishim për të marrë vendim, sot ishim për të dëgjuar dhe për të shpjeguar. Një takim shumë i domosdoshëm, sepse njerëzit vërtet nuk e kuptojnë deri në fund thelbin e reformës, ku janë përmirësimi i shërbimeve dhe rritja e investimeve”, tha Çuçi.

Sipas tij, takimi ishte i nevojshëm edhe për të sqaruar pikëpyetjet e personave që kanë shprehur kundërshti ndaj reformës.

“Besoj se bëmë shumë mirë, sepse edhe njerëz që janë deklaruar kundër, që dhe sot janë kundër, morën disa përgjigje”, u shpreh Bledi Çuçi.

Çuçi theksoi gjithashtu se roli i tij në këtë takim ishte ai i mikpritësit të përfaqësuesve të qeverisë dhe drejtuesve politikë që ishin të pranishëm, ndërsa diskutimi iu kushtua dëgjimit të shqetësimeve dhe qëndrimeve të njerëzve të Vlorës.

“Sot nuk ishim për vendimmarrje, sot isha në rolin e mikpritësit të ministrave përkatës, deputetit përkatës që ka marrë iniciativën dhe kryeministrit, për të dëgjuar njerëzit e Vlorës”, tha Çuçi./ZËRI

Poll

MOS HUMB