
TIRANË- Mbledhja e djeshme e Kryesisë së Partisë Demokratike, ku u caktuan dhe drejtuesit politikë në qarqet e vendit, nuk ka kaluar pa tensione, ndërsa disa prej figurave janë shprehur të pakënaqur me emrat e përzgjedhur. Edhe pse në mungesë fizike, Berisha iu dha fund pritjes së deputetëve, dhe zbuloi ekipin me të cilin synon që të rikthejë PD-në pas 12 vitesh në pushtet, që kryesisht janë emra të ricikluar, ndërsa mungojnë tërësisht përfaqësueset gra. Në mungesë të tij, Flamur Noka dhe Edi Paloka do të drejtojnë fushatën e demokratëve në të gjithë vendin, ndërkohë që Tirana, qarku më i madh i është besuar Belind Këlliçit, i cili ishte dhe kandidati i opozitës në zgjedhjet lokale të vitit 2021.
Ndërkohë që ndryshime janë bërë dhe në disa prej qarqeve të tjera të vendit, ku Luçiano Boçi u zhvendos nga Elbasani në Shkodër, ndërsa Ervin Salianji, i cili fitoi zgjedhjet në Kavajë, është cakruar në krye të qarkut të Elbasanit, një nga më problematikët sa i takon garës së fortë mes forcave politike. Agron Gjekmarkaj u rikthye në Lezhë, aty ku PD fitoi në zgjedhjet e 2021.
Durrësi nuk pati surpriza u konfirmua Oerd Bylykbashi. Gazment Bardhi u largua nga qarku i Elbasanit për t’u zhvendosur në Fier ku spostoi Luan Baçin, i cili megjithëse pranoi vendimin e kryetarit braktisi mbledhjen e Kryesisë, duke u larguar para kohe.
Një nga emrat surprizë ishte ai i Ivi Kasos, që u caktua në krye të qarkut të Korçës, duke zëvendësuar veteranin Edmond Spaho, i cili nuk e fshehu pakënaqësinë, duke thënë se lajmin e kishte marrë nga mediat.
Drejtuesit e tjerë nuk prodhuan surpriza, Trian Shehu nuk u lëviz nga Gjirokastra dhe Flamur Hoxha u caktua në Kukës. Për Tomor Alizotin nuk pati asnjë vend të lirë, ndërsa Eno Bozdo mori drejtimin e qarkut të Beratit.
Bujar Leskaj mbajti Vlorën dhe Xhelal Mziu u caktua në Dibër. Sa i takon mungesës së grave në drejtimin politik, e vetmja që shprehu hapur pakënaqësinë e saj, ishte Edith Harxhi, e cila tha se ndihej e turpëruar që PD ishte shndërruar në një ‘parti burrash’.
Ndryshe nga sa u tha fillimisht, se drejtuesit politik do të ishin dhe në krye të listave për deputetë, Berisha tha se përzgjedhja e kandidatëve do të bëhet përmes procesit të primareve, ku do të jetë anëtarësia ajo që do të caktojë emra.
“Ne jemi parti që për zgjedhjen e deputetëve e ka të fiksuar në statutin e saj me mekanizmin e primareve”, u shpreh Berisha gjatë një lidhje përmes skype me anëtarët e Kryesisë.
Berisha lajmëroi se PD do zbresë në rrugë duke shpallur të hapur stinën e protestave deri në realizimin e kushtit kryesor, qeveri teknike, edhe pse koha nuk premton shumë për demokratët. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare pritet që të mbahen përpara verës së vitit 2025. /ZËRI