Politikë

PD në 'ethe', por Berisha i jep hua 3 deputetë Metës! PL pritet të krijojë edhe grup parlamentar

Blushi është shprehur kundër bojkotit, por nuk përjashtoi opsionin e protestave.

F.I
PD në 'ethe', por Berisha i jep hua 3 deputetë Metës!
Sali Berisha dhe Ilir Meta

TIRANË-Teksa shtatori pritet të bëjë ‘tërmet’ brenda Partisë Demokratike, me figura kundër Berishës dhe riformim të brendshëm, për Partinë e Lirisë është 'kopsitur' çdo gjë. Në prag të legjislaturës së re Sali Berisha është ende i paqartë për rrugën në të cilën do të ecë Partia Demokratike.

“Në ditët që vijnë, do të mblidhen forumet dhe do të marrin vendimet përkatëse”, paralajmëroi, kreu i PD-së, Sali  Berisha kur u pyet se çfarë do të ndodhë me mandatet e opozitës në Parlament.

Nga ana tjetër Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka vendosur ti qëndrojë besnik Ilir Metës edhe pas humbjes së zgjedhjeve. Berisha do i japë 3 deputetë hua aleatit të tij, të betejave te vjetra për të krijuar një grup parlamentar.

“Ne kemi renë dakord që në rast se forca jonë politike nuk do kalonte pragun prej 7 deputetësh të domosdoshëm për krijimin e grupit parlamentar atëherë do marrim tre deputet nga Partia Demokratike në mënyrë që te jemi gjithashtu një zë i rëndësishëm në Kuvendin e ri. Të jeni të sigurt që zëri i zotit Meta do dëgjohet fuqishëm në Kuvendin e ri në çdo seancë dhe në çdo mbledhje të komisioneve parlamentare”, konfirmoi në një intervistë për Top Channel, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.

Sa i përket qëndrimit në Kuvendin e ri vetë kreu i Partisë Demokratike, ka lënë të hapura të gjitha opsionet për veprim, nga bojkotimi i Kuvendit deri tek format më ekstreme të protestës brenda sallës. Ndryshe nga PD, Partia e Lirisë do të ndjekë një tjetër rrugë. Blushi është shprehur kundër bojkotit, por nuk përjashtoi opsionin e protestave.

“E vetmja rruge që duhet të ndjekë opozita është asnjë hap pas. Këtu i referohem betejës e Stalingradit. Nuk do ketë nga Partia e Lirisë bojkot apo dorëzim mandatesh sepse ky eksperiment i kryer rezultoi tradhti jo vetëm ndaj opozitës dhe vendit. Sigurisht do ketë protesta dhe sigurisht do ketë aksion të fortë politik”, deklaroi Blushi.

Kujtojmë se një ditë më parë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi zhvilluan një takim në selinë blu. Tema kryesore e takimit ishte aksioni i përbashkët politik mes Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë dhe lëvizjet e tyre në Kuvendin e ri./ZËRI

Poll

MOS HUMB