
TIRANË- Pasi u paraqit për rreth 9 orë në ambientet e SPAK, kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka arritur që të hyjë në Bashkinë e Tiranës. Teksa nisi mbledhja online, Veliaj diskutoi lidhur me atë që ndodhi në Prokurorinë e Posaçme. Në fjalën e tij, kryebashkiaku tha se ka dhënë sqarime me detaje lidhur me çështjen e inceneratorëve, duke zbuluar edhe disa nga pyetjet që i janë bërë nga prokurorët e SPAK.
"Kush ka punë me drejtësinë duhet ta bëjë me ato institucione që ne i kemi besuar për ta bërë. Ndenja me kolegët për t'ju përgjigjur çdo pyetjeje e pikëpyetjeve, e çdo situate përse i kemi marrë ato vendime. Nëse dikush ka gabuar në ato vendime për të pastruar Tiranën, duhet të mbajë përgjegjësi,"-tha Veliaj ndër të tjera në fjalën e tij.
FJALA E VELIAJT:
Iu kërkoj shumë ndjesë për vonesën, kur dola nga SPAK u informova që stani me lepuj ishte mbledhur para Bashkisë. Por nuk e kishin as mendjen kur kryetari hyri. Është një mbledhej që nuk e shtyjmë dot dhe kur mendoj që sot në SPAK në vend që të më prisnin prokurorët, më pritën makinat me nga 100 mijë euro të këtyre që mbushin stanin me lepuj e kuptoj që për në është e rëndësishme që të japim ndihmat ekonomike, bursat dhe emërtimin qytetar nderi të Ali Ahmetit. Ju kërkoj ndjesë për vonesën. Pata një mundësi të jashtëzakonshme për të qenë në SPAK për t'i treguar punën e kësaj bashkie dy kolegëve hetues. Dola me ndjesi krenarie që kjo forcë politike po bën institucion. Pashë një organizatë të disiplinuar, të mënçur, pashë staf të Republikës së Shqipërisë që me votën e PS ka arritur të ndërtojë një institucion për t'u pasur zili. Që duan të sqarojnë shapin me sheqerin, si u ndërpre projekti i Bankës Botërore. Sigurisht që të gjithë janë të qartë që Tirana është sot ku e ku më e pastër. E kishin mbushur pleh të gjithë Tiranën. I ka marrë malli për kjoskat dhe të luajnë mbi fekale. Këta janë stan me lepuj, sheshi ishte i mbushur me turistë që i fotografonte këta. Shqipëria dhe Tirana nuk do të kthehet më kurrë pas, jo në paralele apo palestër, por edhe në majë të Himalajes të shkojë ai që ka lepurin në bark, nuk kanë çfarë ti bëjnë Tiranës. Ju jeni shumica dërrmuese, kur të shkruhet historia e këtij qyteti, këta çapaçulat me molotov, këta nuk kanë vend në Tiranë. Ftesa ime për ta është shkoni nga humbja në humbje pa e humbur entuziazmin. Nuk do ndalet humbja e tyre pasi nuk ka asnjë ide. Ai që humbi me 60 mijë vota ka qenë drejtor në bashki, nuk mbaj mend të jetë shquar për ndonjë gjë të madhe. Gjithë këto punë të jashtëzakonshme dhe gjithë këto kantiere, kush ka punë me drejtësinë duhet ta bëjë me ato institucione që ne i kemi besuar për ta bërë. Ndenja me kolegët për t'ju përgjigjur çdo pyetjeje e pikëpyetjeve, e çdo situate përse i kemi marrë ato vendime. Nëse dikush ka gabuar në ato vendime për të pastruar Tiranën, duhet të mbajë përgjegjësi. E kuptoj që për ne është shumë e rëndësishme të japim ndihmën ekonomike, të japim bonusin e qirasë, të japim bursat për fëmijët, të japim shpërblimin për ekipin e Partizanit dhe të bëjmë disa emërtime që i kanë bere nder qytetit tonë, siç është titulli Qytetar Nderi per Ali Ahmetin, patriotit të madh nga Maqedonia e Veriut, shqiptarit me zemër të luftës, por edhe të punës dhe të paqes. Si dhe disa emërtime të tjera në qytet, që kane të bëjnë me figura shumë të rëndësishme, si Remzi Hoxha, të cilin SHIK-u i Sali Berishës e vrau dhe e la pa varr. Ky qytet sot duhet të kujtojë që Sali Berisha me lepurin në bark, - se stani me lepur është këtu jashte, por lepuri në bark është te rruga Mustafa Matohiti, - jo vetëm i vrau dhe i la pa varr, por nuk kërkoi kurrë ndjesë dhe ky qytet ka detyrim që t’i kujtojë. Duhet të jemi krenar jo vetëm për punët, por edhe sesi e kemi mbledhur llumin bashkë. Një nga meritat tona më të mëdha është se kemi bashkuar kundër nesh të gjithë llumin. Secili prej analistëve ka kërkuar diçka në Bashkinë e Tiranës. E di ai çfarë ka kërkuar 'Ben Rreli' për atë portalin që nuk jepet leje në Kopshtin Zoologjik. E di ai tjetri çfarë ka kërkuar për sondazhe që nuk i bën dhe faturon shifra të panevojshme. Dhe kur nuk e duan në Kosovë, në Shqipëri e shofin akoma me përbuzje. Dhe prandaj vlerësohet Tiraana edhe në Kosovë. Se njerëzit më të poshtër që ata i kanë përzënë, nuk qasen në Bashkinë e Tiranës dhe nuk kanë pikë aksesi. Ai që ka ndërtuar pallat në mes të Bllokut, e ka shumë kollaj të bëjë emision se ky kryetar bashkie nuk e lë më të bëjë një pallat në mes të bllokut duke iu vjedhur motrave fetare tokën e vetë. Kështu që asnjë të mos ketë asnjë iluzion. Secili prej maskarenjve që është aty përballë ka interesin e vetë. Ka fundshpinën e vetë në interes. Nuk i qan halli as për pastrimin, as për ndërtimin e shkollave, por për llogarinë e vetë. Ata nuk kanë qenë metor i askujt, që nuk kanë rritur asnjë talent, por përkundrazi. Keni parë burra nga 55, 60, 65 vjeç rrinë natën televizioneve sikur janë te "peshqirat", sikur po shikojnë Pornhub të eksituar si ata pitbullat dhe shqyejnë çdo gjë të re që ju del përpara. Jam krenar për punët dhe llumin e bashkuar kundër nesh, sepse kemi inspiruar armiqtë që të bëhen bashkë. Kanë harruar çfarë kanë thënë për njëri-tjetrin, vetëm që të bëhen bashkë.
Për Veliajn kjo është hera e parë që merret në pyetje nga SPAK. Ka qenë prokurori Dritan Prençi, ai që ka kërkuar marrjen në pyetje të tij. Për inceneratorin e Tiranës ndodhen në burg Alqi Bllako, Taulant Tusha, Namik Simirxhiu, Bledar Karoli dhe Lefter Koka. Ndërsa në 'arrest shtëpie' janë 7 të tjerë. Në kërkim janë biznesmenët pronar të "Integrated Energy”, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri./ZËRI