Politikë

“Krahasoi Kosovën me Palestinën’, Berisha: Rama po ndjek misionin e Vuçiç

Ish kryeministri Berisha tha se Rama e ka kthyer Tiranën në Beograd të dytë, duke vepruar sipas projekteve të Vuçiç. Sali Berisha foli edhe për planet e opozitës, duke thënë se beteja ndaj qeverisë sapo ka nisur.

D.XH
“Krahasoi Kosovën me Palestinën’, Berisha: Rama po ndjek
Sali Berisha

TIRANË – Ish kryeministri Sali Berisha, i ftuar në emisionin “Open” paralajmëroi kryeministrin Rama, që të heqë dorë nga ndërhyrja në punët e brendshme të Kosovës, sepse përndryshe do të përballet me mijëra njerëz, që do mbrojnë shtetin e Kosovës.

Berisha tha se Rama paturpërsisht e krahasoi Kosovën me Palestinën dhe shtoi se Edi Rama, në raport me Kosovën, po vazhdon politikën që ia dikton Vuçiçi.

“Edi Rama përfaqëson tradhtarin më të poshtër të kombit. Ka kthyer Tiranën në një Beograd të dytë, sepse misionin ia përcakton Vuçiçi.  Ky përdori pardje në Samit tezën më të rrezikshme serbe kundër Kosovës, Palestina jonë! Serbët, para gjithë botës kur shtypnin shqiptarët e Kosovës, u thonin se ai është Jerusalemi ynë dhe Rama e krahasoi me Palestinën Kosovën. Edi Rama do të përgjigjet. Tani të presë përgjigjen!

Ose Edi Rama do të heqë dorë nga punët e brendshme të Kosovës, ose mijëra njerëz do ta mbrojnë shtetin e Kosovës. Kjo do të thotë se nuk mund të bëjë dot gjë, e paralajmëroj”, deklaroi Berisha.

Ish-kryeministri Sali Berisha foli dhe për veprimet e deputetëve opozitarë në parlament. Ai tha se sot opozita e vendit ka nisur një betejë kundër qeverisë së Edi Ramës. Ish-kreu i qeverisë tha se deputetët opozitarë ose do të bojkotojnë Kuvendin ose do të luftojnë deri në fund. Sipas Berishës, kjo është një lëvizje popullore, që nuk tërhiqet, deri në realizimin e synimeve të saj, të kthejë parlamentin në shinat kushtetues. Ish-kryeministri theksoi se po tentohet që të zëvendësohet opozita e vërtetë me atë që quajti 'peng opozitë'.

“Mjetet që ne do të përdorim do të jenë ato që përdor çdo lëvizje popullore, për arritjen e objektivave. Neve nuk na ka mbetur më alternativë tjetër. Jemi de facto të përjashtuar nga Kuvendi. Sot po zevëndësohet opozita e vërtetë me peng-opozitën. Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla po përdoret si mos më keq nga Rama.

Kemi kërkuar 6 Komisione Hetimore dhe Rama nuk pranon, sepse është në hetimet e McGonigal. Kjo sepse Rama me McGonigal dhe Agim Neza kanë vepruar si grupim kriminal. Nuk kanë dhënë asnjë argument për faktin se përse kanë rrëzuar kërkesat tona, sepse Kushtetuta nuk e parashikon askund”, tha Berisha.

Sali Berisha theksoi se Edi Rama mund të rrëzohej dhe më herët, por se Basha, sipas tij, tradhtoi kauzën e opozitës.

“Më 2017, kur opozita u vendos në çadër, kishte një mbështetje shumë të madhe në popull, shkuam deri 38 përqind në sondazhe. Por, Edi Rama nisi të ndjejë frikën dhe nisi të thotë se Basha është djalë i mirë, duke e ftuar për bashkëpunim. Mua Lulzim Basha më ka thënë vetëm se do e takojë Edi Ramën, asgjë më shumë. Nuk kam qenë dakord. Basha tradhtoi çadrën”, tha Berisha.

Sot, deputetët e grupit të Sali Berishës dhe Gazment Bardhit, bojkotuan parlamentin, teksa thanë se maxhoranca po tenton të eliminojë opozitën./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB