
TIRANË- Në kuvendin e mbledhur nga ish-kryeministri Sali Berisha ka nisur procesii votëbesimit të tij. Pas votimit Berisha ka deklaruar se nuk është një betejë politike por një betejë për Shqipërinë.
“Jeni dëshmitarë të zhvillimeve dramatike, më dramatike nga viti 92 gjer sot të grushtit të shtetit brenda shtetit ndaj opozitës. Ju keni parë se si Edi Rama po merr pushtetet e Parlamentit, në tërësi, por të opozitës kryesisht, mirëpo kjo përbën një atentat më të rëndin që ka ndodhur në 32 vite ndaj demokracisë. Kjo është shpallje lufte ndaj opozitës. De facto jemi në kushtet e një grushti shteti brenda shtetit dhe kjo situatë i dikton Partisë Demokratike agjendën e saj duke nisur nga Parlamenti e deri në strukturat e saj,"-tha Berisha.
Ai gjithashtu u pyet nëse do jetë Argita pjesë e PD?
"Është një aktiviste e PD që në ditët më të para të themelimit të saj, ka qenë studente. Është fjalimi i parë publik në Kuvendin Kombëtar të Partisë, nuk do të thotë asgjë më shumë se sa një fjalim, shprehu mendimet e veta si aktiviste”, tha Berisha.
Argita Malltezi ka mbajtur fjalimin e saj të parë në Kuvendin Kombëtar të Rithemelimit, i thirrur për votëbesimin e ish-kryeministrit Berisha pas humbjes së zgjedhjeve vendore të 14 majit.