NAPOLI- Kryeministri i vendit Edi Rama ka zhvilluar vizitën e tij në Napoli, ku ka marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në këtë qytet. Përmes rrjeteve sociale kreu i qeverisë ka publikuar një album me momente nga vizita, ku krahas ceremonisë së hapjes së konsullatës shfaqen edhe takimet e tij me përfaqësues të universiteteve dhe institucioneve që lidhen me studimet shqiptare.

Një prej momenteve që ka tërhequr vëmendjen është dhurata që Rama ka marrë gjatë qëndrimit në Napoli. Kryeministrit i është dhuruar një statujë e tij në miniaturë, të cilën ai e ka bërë pjesë të fotove të publikuara nga vizita.
Gjatë qëndrimit në qytetin italian, Rama ka vizituar edhe Katedrën e Gjuhës Shqipe pranë Universitetit 'L’Orientale' një institucion me një traditë të gjatë në fushën e albanologjisë dhe studimeve shqiptare. Në takimin me stafin akademik kryeministri ka folur për nevojën e një bashkëpunimi më të organizuar mes institucioneve dhe studiuesve, duke propozuar krijimin e një rrjeti që do të mundësonte koordinim më të madh në fushën e studimeve shqiptare.

“Ta krijojmë një lloj rrjeti këtu në universitet, me idenë që më pas të mund të ndihmojmë në mënyrë më të strukturuar dhe gjithashtu ta përdorim për të ruajtur e për të shfrytëzuar më mirë gjithçka që prodhohet këtu”, është shprehur Rama.
Hapja e Konsullatës së Nderit në Napoli shihet si një tjetër pikë kontakti mes Shqipërisë dhe komunitetit shqiptar në Itali, ndërsa vizita e Ramës është shoqëruar edhe me takime me përfaqësues të universiteteve dhe institucioneve lokale.

Në albumin e publikuar nga kryeministri, fotot nga ceremonia dhe takimet në Napoli janë shoqëruar edhe me momente nga aktivitetet e tij në kuadër të vizitës./ZËRI