
TIRANË- Zbardhen detaje të reja nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike ku të pranishëm ishin dhe deputetët që mbështesin kreun e PD-së Sali Berisha. Mes diskutimeve nuk është përjashtuar futja në grevë urie nga disa deputetë. Sipas "BW", Gazment Bardhi ka falenderuar kolegët për aksionin opozitar ndërsa të gjithë bashkë kanë planifikuar me detaje se si do ishte mbledhja e Komisonit të Etikës ku maxhoranca vendosi përjashtimin e 6 deputetëve të PD pas situatës së tensiouar në seancën e të hëmës që precipitoi dhe në akte dhune mes deputetit Bledjon Nallbati dhe Vullnet Sinaj. Më radikali në qëndrime ka qenë Xhelal Mziu, i cili ka mbështetur idenë e futjes në grevë urie. Ndërsa Sali Berisha, ka deklaruar se opozita nuk mund të lejojë që të poshtërohet. Ndërsa ka shtuar se grupi i PD nuk do të përfshihet në betejën e tij të re me SPAK, për dosjen "Partizani".
Ndërsa republikani Fatmir Mediu i ka qëndruar idesë së tij të shprehur më herët për krijimin e “Aleancës Opozitare”.
Gazment Bardhi: Faleminderit të gjithëve për rezistencën ne Kuvendin e Shqipërisë dhe reagimin tuaj në mbrojtje të të drejtave tona kushtetuese. Me besoni që është jetike për opozitarizmin në vend ky reagim, pasi mazhoranca nuk na ka lënë asnjë rrugë tjetër dhe kërkon poshtërimin e opozitës. Ne nuk mund ta lejojmë këtë. Ne nuk duhet ta lejojmë këtë. Ne duhet të vazhdojmë të vendosur në kërkesat tona. Jetë parlamentare normale nuk do të ketë, pasi na është mohuar çdo e drejtë për komisionet hetimore parlamentare ai dhe për ndryshimin e anëtarëve në komisionin e posaçëm të reformave zgjedhore. Përveç se nuk do të ketë jetë parlamentare në seanca, gjykoj që duhet ta shtrijmë edhe në bllokimin e punës në disa komisione. Në këtë drejtim kam dy propozime konkrete. Sot (dje) propozoj që në mbledhjen e Sekretariatit të Etikës të shkojmë, për të shprehur arbitraritetin e tyre. Mirë do ishte të ishim të gjithë. Do të bllokojmë punimet normale të këtij sekretariati. Personalisht nuk do të jem dot për shkak se në të njëjtën orë kam lënë një takim në Ambasadën Britanike për ti informuar për situatën. Ndërkohë nesër (sot) që në orën 9.30 do të mblidhemi këtu dhe do të marrim pjesë në Konferencën e Kryetarëve për të mos lejuar punimet normale edhe aty. Të kemi të qartë që kjo është një rrugë nga e cila nuk kemi ndërmend të tërhiqemi. Kërkesat tona janë minimaliste, janë të drejtat tona. Nuk mund të lejojmë që mazhoranca të na mohojë atë që i takon opozitës. Mbetem i hapur për çdo sugjerim tjetër.
Saimir Korreshi: Në ditën e sotme (dje, mbledhja e Sekretariatit të Etikes) duhet të shkojmë tek Sekretariati i Etikes, të gjithë si deputetë, pasi duhet të ndalojmë gjithë këtë abuzim që po behet nga mazhoranca. Duhet të bllokojmë punimet ne Kuvend. Ndërsa nesër (sot) po ashtu duhet të bllokojmë Konferencën e Kryetareve, se po miratuan ata Projektbuxhetin për vitin 2024, pastaj pse bëjmë beteje ne? Nëse ata e miratojnë do të thotë se ka normalitet ne Kuvend, ndërsa ne s’mund ta lejojmë normalitetin në Kuvendin e Shqipërisë. Nesër (sot) të bllokojmë Konferencën e Kryetarëve. Dhe nuk duhet të mendojmë këtu plane afatgjate, aksionet tona duhen menduar rast pas rasti.
Xhelal Mziu: Unë jam i mendimit se ne duhet te mendojmë seriozisht grevën e urisë në Kuvendin e Shqipërisë, pasi mazhoranca e ka tejkaluar masën në respektimin e parlamentarizmit.
Sali Berisha: Dua te sqaroj këtu se deputeti Bledjon Nallbati nuk e ka goditur deputetin Vullnet Sinaj. Kjo është e vërteta. Nuk mund te këtë seanca normale parlamentare kur ata nuk lejojnë që të kemi një funksionalitet normal. Derisa te plotësohen kërkesat tona, nuk do të këtë jetë parlamentare normale. Nuk mund të pranojmë të poshtërohemi.
Fatmir Mediu: Në duhet të mblidhemi tashmë dhe të organizohemi dhe të krijojmë “Aleancën Opozitare”, ku të gjithë faktorët politikë të jemi të gjithë bashkë dhe të zhvillojmë takime në 12 qarqet e vendit. Duhet ta nisim këtë aksion ne terren.
Sali Berisha: Sa i përket çështjes sime me SPAK, do i përgjigjem çdo pyetje që mund te keni për mua për t’ju dhënë informacion. Por ju them se kjo dosje është e montuar dhe unë me prova e fakte do e ç’montoj, pasi aty ka shumë falsifikime. Dua që kjo çështje te me takoje vetëm mua, është personale dhe nuk dua të përziej asnjë tjetër, as grupin./Zëri.ai