Politikë

Negociata me PS/ Zbardhen EMRAT për 2 Komisionet Hetimore. Bardhi fton PD, Basha e refuzon

Seanca e kësaj të enjteje do të jetë e para ku vendin do ta marrin diskutimet dhe kartonët jeshilë që pritet të ngrihen për Komisionet Hetimore parlamentare për sistemin TIMS dhe koncesionet në shëndetësi, konkretisht kontratat publike të Check up-it dhe sterilizimit.

f.t
Negociata me PS/ Zbardhen EMRAT për 2 Komisionet Hetimore. Bardhi fton PD,
Gazment Bardhi dhe Lulzim Basha

TIRANË-Kreu i grupit parlamentar i Partisë Demokratike Gazment Bardhi mblodhi sot në selinë blu grupin parlamentar ku u vendos për përbërjen e të dyja komisioneve. Gjatë mbledhjes u miratuan emrat e dy kryetarëve të Komisoneve Hetimore Parlamentare dhe anëtarët e tyre. Raportohet se Ervin Salianji do të drejtojë Komisonin Hetimor Parlamentar për sistemin TIMS. Ndërkohë deputetja Albana Vokshi do të drejtojë Komisionin për Shëndetësinë. 

Komisioni për TIMS: Ervin Salianji kryetar, Ramadan Lika, Lefter Geshtenja, Xhelal Mziu, Elda Hoti, Luan Baçi, Asllan Dogjani.

Komisioni per Shëndetësinë: Albana Vokshi- kryetare, Zheni Gjergji, Ina zhupa, Edmond Spaho, Sajmir Korreshi, Petrit Vasili, Zëvendësues Ilda Dhori/ Emilia Koliqi.

Megjithatë, nga e njëjta karrige ku Sali Berisha mbante konferencat për gazetarë kur ishte ende në liri, këtë herë Bardhi para mediave la për grupin e Bashës një vend bosh. Gjatë fjalës së tij, Bardhi ka bërë me dije se Komisioni i Ligjeve ka miratuar ngritjen e një grupi dialogu i cili do përbëhet nga gjashtë anëtarë dhe merr vendime me konsensus nga të gjithë anëtarët. Ai tha se propozimi i PD dhe Opozitës për këtë grup është: Oerd Bylykbashi, Erisa Xhixho dhe vendi i tretë kolegëve brenda grupit që kanë një mendim ndryshe. Vendin e tretë, Gazment Bardhi e ka lënë bosh për një nga kolegët që janë "rreshtuar" krah Lulzim Bashës. Por Basha i dha përgjigje negative.

"Nëse dëshirojnë një vend mund t’ia propozojnë kreut të grupit. I qëndroj atij propozimi që i kam bërë grupit, sa i takon grupit të reformave. Përballë kundërshtarit politik do duhet të jemi një trupë e vetme. Janë të lutur që përmes sekretarit të grupit të na paraqesin propozimin përkatës nëse duan ta marrin përsipër këtë përgjegjësi. Ne jemi të hapur,"- tha Bardhi.

Nga takimi që Basha zhvilloi me demokratët në Durrës tha se nuk është qëllimi karrigia, por listat e hapura, votimi elektronik dhe vota e diasporës.

"Shikoni çfarë thonë sot, “ejani ju se kemi dhe një karrige për ju”. Merreni  karrigen edhe… Ne se kemi nisur këtë për karrige. Se kemi nisur për karrige, s’ishte kjo punë për karrige. Enkelejd Alibeaj nuk ishte aty për karrigen e tij. As i kisha thënë unë rri për karrige. Ishin listat e hapura, ishte për votimin elektronik, ishte për votën e diasporës, ishte për Shqipëria një zonë. S’duam karrigen, ne duam të drejtat e shqiptarëve, ne duam që pazari 34 vjeçar i fëlliqtë, trashëgimnia më e pisët e Ramiz Alisë, trashgimtarit të fundit komunist të marrë fund. Sepse është ky pazar që rëndon pronarët dhe të përndjekurit, sipërmarrësit dhe profesionistët, fermerët dhe arsimtarët, rininë shqiptare. S’na duhen karriget. Thojini shqiptarëve sot, ku qëndroni në raport me listat e hapura? Jeni për lista të hapura, po apo jo, votoni për listat e hapura, votimin elektronik, Shqipëria një zonë, votën e diasporës, s’na duhen karriget,"-u shpreh Basha.

Ndërkohë Partia Socialiste ka bërë me dije emrat e dy nënkryetarëve. Nënkryetar i Komisionit Hetimor të Kuvendit për Shërbimin Publik të Sterilizimit dhe Shërbimin Publik të Check-Up në Shëndetësi, do të jetë Plarent Ndreça. Ndërsa Komisioni Hetimor i Kuvendit për Trajtimin e të Dhënave të Sistemit TIMS, do të ketë nënkryetar Toni Gogun.

Çështja e Sazanit

Gjatë mbledhjes kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi ka deklaruar qëndrimin zyrtar të grupit që ai përfaqëson sa i takon investimeve të pritshme të dhëndrit të Donald Trump në Zvërnec dhe në Sazan. Bardhi tha se në parim demokratët janë pro investimeve të huaja, por kërkoi që ato të miratohen përmes një procesi transparent.

Rithemelimi do t’i rikthehet jetës normale parlamentare me garancinë e mazhorancës për ngritjen e dy Komisioneve Hetimore. Pas më shumë se 5 muajsh kaos seanca e kësaj të enjteje do të jetë e para ku vendin do ta marrin diskutimet dhe kartonët jeshilë që pritet të ngrihen për Komisionet Hetimore parlamentare për sistemin TIMS dhe koncesionet në Shëndetësi, konkretisht kontratat publike të Check up-it dhe sterilizimit./ZËRI

Poll

MOS HUMB