
TIRANË- Kreu i SPAK ka raportuar sot në Komisionin e Ligjeve, përpara deputetëve, që një pjesë e tyre janë subjekt i Prokurorisë së Posaçme. I tillë është dhe rasti i deputetes Monika Kryemadhi, e cila pati pyetjet e saj në drejtim të kreut të SPAK. Dumani vlerësoi rolin dhe denoncimet e Kryemadhit në çështjen e inceneratorëve, dhe tha se të gjitha shtesat e padive që ajo ka dorëzuar, do të verifikohen dhe do të merren parasysh.
Monika Kryemadhi: Të nderuar kolegë, të nderuar prokurorë, ju faleminderit për përballjen, me pjesën më të madhe tonën jeni në konflikt interesi, unë dua tju pyes për krimin zgjedhor, a jeni ju gati për tu përballur. Unë në dhjetor ju kam paraqitur një shtesë padie për inceneratorët, a e keni parë denoncimin për një sipërfaqe prej 15 hektarësh jashtë inceneratorit të Tiranës. Ne flasim për një shumë prej 600 milionë eurosh, të dherave të ndërtimeve, që i kanë kaluar bashkisë së Tiranës. A e shikoni të mundshme që në pjesën e administratës të përfshini dhe shqiptarë të diplomuar në fushën e drejtësisë jashtë vendit?
Altin Dumani: Lidhur me pyetjet e zonjës Kryemadhi, ne po punojmë për strategjinë, kundër krimeve zgjedhore. Që do të bëhet publike në Janarin e ardhshëm, disa muaj para zgjedhjeve. Ne nuk kemi të gjitha veprat penale që lidhen me krimet zgjedhore, ne kemi vetëm dy vepra, më vjen keq tani, janë bërë ndryshime në ligj. Sa i takon pyetjes së inceneratorëve, ju keni qenë një kontribuese e vazhdueshme për çështjen, që ju e dini që janë marrë në konsideratë. Shtesat që ju keni bërë janë duke u verifikuar, unë nuk mund të them asgjë se si do të shkojë, sepse e ndjek prokurori i posaçëm. Edhe paratë që vijnë nga dherat janë pjesë e hetimit. Sa i takon shqiptarëve që kanë studiuar jashtë ne ku ti gjejmë, po janë 100 rregulla dhe procedura që ata të mund të bëhen pjesë e SPAK.
/ZËRI