TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë publikisht lidhur me raportet e tij me biznesmenin Ergys Agasi. Rama u shpreh se marrëdhëniet personale, njohjet apo edhe fotografitë me persona të ndryshëm nuk mund të interpretohen si një funksion publik dhe nuk i japin askujt të drejtën të pretendojë se përfaqëson kryeministrin.
“Mua më kanë bërë shumë afërsi ose shumë rrëfenja me afërsitë. Afërsia me mua, me një njeri apo tjetrin, nuk është në funksion publik. As fotografia, as raportet personale dhe as pretendimi që flasin në emrin tim. Unë nuk kam autorizuar ndonjëherë njeri të flasë në emrin tim. Unë nuk kam autorizuar njeri të bëjë punët e shtetit në emrin tim”, deklaroi Rama.
Kryeministri tha se e ka përjetuar me keqardhje faktin që një person me të cilin ka pasur marrëdhënie njerëzore është përballur me probleme me ligjin, por theksoi se kjo nuk e vendos atë në një pozicion përgjegjësie për veprimet e individit.
“Patjetër që mua më vjen keq kur gjendem në situatën kur dikush, me të cilin kam pasur një marrëdhënie njerëzore, për një arsye a tjetër, ekspozohet si një njeri që ka probleme me ligjin. Por ama, nga ana tjetër, jam krejtësisht i çliruar dhe pa asnjë problem, përtej keqardhjes, edhe për veten në një farë mënyre, sepse secili atje është përballë ligjit me veten dhe avokatët e vet”, u shpreh ai.
Rama e bëri të qartë se nuk pranon që persona të tjerë të përdorin emrin e tij për të ndërmarrë veprime apo për të përcjellë mesazhe në emër të tij.
“Në emrin tim kush nuk flet. T’i hysh kësaj: ‘Pse fole në emrin tim?’, i bie të mos bësh asnjë punë tjetër. Unë mendoj që njerëzit që më njohin e dinë që në emrin tim nuk flet dot njeri. Ata që nuk më njohin dhe mendojnë se të tjerë flasin në emrin tim, më vjen keq për ta”, tha kryeministri.
Në fund, Rama e përmblodhi qëndrimin e tij me një deklaratë të prerë“Të gjithë duhet ta dinë se në emrin tim unë flas vetë”./ZËRI