
GREQI- Konferenca për shtyp e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis në kuadër të Ekspozitës Ndërkombëtare të Selanikut u shpërnda në disa çështje, por nuk mungoi as Fredi Beleri. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë greke tha se nuk do të ndalej së diskutuari çështjen e Belerit me kryeministrin Edi Rama. I pyetur nga Angelos Angelidis, edhe njëherë kryeministri Mistotakis 'kërcënoi' se nëse Beleri nuk do të betohej si kreu i Bashkisë së Himarës, Greqia do të ndikonte për keq në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
PYETJA: Cilat janë lëvizjet e radhës të Athinës në burgun e Belerit?
Mitsotakis: Çështja i lë në hije marrëdhëniet dypalëshe me Shqipërinë dhe përmbys progresin që kishim arritur. Më shqetëson veçanërisht fakti që edhe sot Shqipëria refuzon t'i japë atij mundësinë për t'u betuar si kryetar bashkie. Është një shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare dhe do të ketë implikime më të gjera për përpjekjen e Shqipërisë për t'iu afruar familjes evropiane. Uroj dhe shpresoj që së shpejti të gjendet një zgjidhje, nuk do të ndalem së ngrituri çështjen në BE dhe te zoti Rama.
Arrestimi i Fredi Belerit më 12 maj me akuzën e korrupsionit në zgjedhje dhe mbajtja e tij në paraburgim ka sjellë acarim në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës. Për çështjet e Belerit është angazhuar edhe qeveria greke e cila e quan arrestimin të paligjshëm e politik. Sipas Athinës zyrtare, kreu i qeverisë shqiptare do një të besuar të tij në Himarë për të shitur pronat e minoritetit grek, ndërsa Rama ka reaguar disa herë zyrtarisht duke u shprehur se nuk ka asnjë ndikim tek drejtësia. Ndërkohë që çështja është ende në gjyq, Greqia po ushtron një presion në rrugë diplomatike, duke kërcënuar se do të pengojë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, me pretendimin se nuk respekton minoritetet./Zëri.ai