Politikë

Ndryshimet në qeveri, Meta: Larje hesapesh brenda PS, ka frikë nga ‘dëshmia’ e Ahmetajt! Pazar Rama-Berisha? S'ka Reformë Zgjedhore

Ilir Meta tha se Rama ka zëvendësuar 3 kukulla politike me 3 personazhë të tjerë anonimë, duke u ndalur gjatë në këtë zhvillim të politikës në vend.

k.m.

Ndryshimet në qeveri, Meta: Larje hesapesh brenda PS, ka frikë nga

TIRANË- Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar për ndryshimet në kabinetin qeveritar. Në një konferencë për mediat, Meta tha se Rama ka zëvendësuar 3 kukulla politike me 3 personazhë të tjerë anonimë, duke u ndalur gjatë në këtë zhvillim të politikës në vend. Sipas Metës, të tre ndryshimet e bëra nga Rama janë si pasojë e "frikës" së intervistës që do të japë sonte në darkë nga arratia ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj. 

"Jam sot para jush për të mbajtur një qëndrim të qartë në emër të Partisë së Lirisë lidhur me retushimin e djeshëm të NarkoQeverisë që bëri Edi Rama, në një event politik, ku ekzekutoi përfundimisht Partinë Socialiste, duke zëvendësuar tre kukulla politike me tre kukulla anonime. Edi Rama nuk ndryshoi aspak filozofinë grabitëse të qeverisjes, jo vetëm në dëm të interesave të qytetarëve por edhe të cënimit flagrant të interesave kombëtare. Lëvizjet e befta në tre ministritë më të rëndësishme, të Financave, të Brendshme dhe të Mbrojtjes, nuk sjellin asnjë risi, as ulje taksash, as rritje pagash dhe pensionesh, as hapje të vendeve të reja të punës, as më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit, as dhënien fund të korrupsionit, as luftë kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, as forcimit të rendit dhe sigurisë publike. Përkundrazi, Edi Rama vetëm sa zëvendësoi teknikisht tre pjesë të lavatriçes gjigande të pastrimit të parave të korrupsionit dhe drogës, nga frika e dëshmisë së radhës të ish-krahut të tij të djathtë për 10 vite, ish-Zv/Kryeministrit Arben Ahmetaj që pritet të japë sot të tjera prova rënqethëse të inkriminimit të Qeverisë në nivelet më të larta. Pa u larguar Edi Rama nuk ka asnjë shpresë se ndryshimet në Qeveri do të sjellin një impakt pozitiv, sa kohë është ai ideatori dhe përfituesi kryesor i Narkoshtetit dhe Narkoekonomisë që ka ndërtuar në 11 vite. Ministria e Brendshme prej kohësh është provuar si një ministri e Encro-Chatit dhe “Metamorfozës”, një strofull e sigurtë e trafikantëve të drogës dhe e drejtuesve të lartë të inkriminuar të Policisë të Shtetit, të udhëhequr jo nga ligji por nga urdhrat politikë të ministrave të radhës në funksion të konsolidimit të Narkoshtetit. Kjo është vijimësia e Ministrave të njëpasnjëshëm të Brendshëm të kompromentuar deri në palcë dhe asnjë risi nuk pritet nga kandidati i ri për ministër, një ish-funksionar i Policisë Rrugore, i panjohur edhe për vetë Kryesinë e PS-së. Nën Narkoqeverisjen e Edi Ramës, Ministria e Mbrojtjes e shndërroi ushtrinë shqiptare në një kultivuese të kanabisit, që garantonte mbrojtjen dhe hapjen e korridoreve të transportit ndërkombëtar të drogës nëpërmjet fikjes së radarëve, që u falte pronat e saj oligarkëve dhe që për fat të keq u shndërrua në instrument politik në shërbim të Narkoshtetit, jo vetëm duke cënuar sigurinë kombëtare, por edhe duke humbur autoritetin dhe rolin e saj, si pjesë e NATO-s. Ndaj as drejtori i Portit të Durrësit, hambarit që mblidhte dhe shërbente si pikë tranziti për trafikun ndërkombëtar të kokainës në mbarë botën dhe njëkohësisht një ndër autorët e aferës së tmerrshme të Alabarit me Portin e Durrësit, nuk mund t’i ndryshojë dot fytyrën ministrisë së Mbrojtjes, përkundrazi pritet ta ndotë më shumë atë.,”- tha Meta në konferencë.

Po ashtu, u ndal edhe tek ndryshimet që do të bëhen në Kodin Zgjedhor, e po ashtu edhe për fatin e mandatit të tij në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. 

PJESË NGA KONFERENCA PËR SHTYP:

Pyetje: Zoti Meta, a mendoni se ndryshimet në kabinetin qeveritra, vijnë për shkak të klaneve brenda Partisë Socialiste?

Përgjigje: Ndryshimet janë tregues i kalbëzimit të qeverisjes. Janë një përpjekje për të krijuar iluzionin, se diçka po ndryshon.
Padyshim, që janë një larje hesapesh, edhe vetë brenda Partisë Socialiste. Hiqen disa persona të cilët kanë pasur një kontribut, apo një karrierë të caktuar politike në atë parti. Dhe vendosen disa anonimë, të cilët do të firmosin pa asnjë kusht, pra në raport me kërkesat e ligjit dhe Kushtetutës, gjithçka që do të kërkojë Edi Rama.

Pyetje: A dyshoni se ndryshimet në kodin zgjedhor kanë ardhur, si shkak I një konsensusi të mundshëm midis Kryeministrit Rama, dhe zotit Berisha?

Përgjigje: Besoj se zoti Berisha e ka bërë shumë të qartë pozicionin e tij, dhe ky është dhe pozicioni im. Nuk egziston asnjë llojë reforme zgjedhore. Nuk ekziston, asnjë adresim i rekomandimeve serioze të OSBE-ODHIR. për zgjedhjet e fundit, përkundrazi.

Pyetje: A do të kandidoni i vetëm në zgjedhjet e ardhshme, apo në listë me Berishën, sepse keni deklaruar më herët se do të jeni kandidat për deputet në kryeqytet?

Përgjigje: Kush e vendos në diskutim se unë do të jem kandidat për deputet në kryeqytet, bën gabim të madh, dhe besoj se do ta thyej disa herë hersin.

Kryeministri Edi Rama njoftoi dje ndryshime të rëndësishme në qeveri, por edhe në grupin parlamentar dhe në krye të Kuvendit. Ai dorëzoi ndryshimet personalisht pasditen e djeshme në presidencë, ku edhe pse një ditë pushimi, u prit në takim nga Bajram Begaj. Për të miratuar ndryshimet në qeveri do të duhen 71 vota që socialistët i kanë, dhe më pas ministrat e rinj do të marrin detyrën. Më konkretisht në Kongresin e PS-së, Rama propozoi emërimin e Elisa Spiropalit për të zëvendësuar Lindita Nikollën në postin e kryetares së Kuvendit, pasi kjo e fundit dha dorëheqjen për arsye shëndetësore. Ndërkohë, Rama ka larguar edhe Ermonela Felajn nga posti i nënkryetares së Kuvendit, dhe në vend të saj ka emëruar Bledar Çuçin, i cili mbante postin e kreut të grupit parlamentar të PS-së. Në vend të Çuçit, në postin e kreut të grupit parlamentar të PS-së ka emëruar Niko Peleshin, duke e larguar nga posti i Ministrit të Mbrojtjes.

Gjithashtu, një ndryshim surprizë në qeveri ishte dhe ai i Taulant Ballës. Ky i fundit është larguar nga posti i Ministrit të Brendshëm pas rreth një viti, duke e emëruar në postin e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, në vend të Elisa Spiropalit. Rama ka larguar edhe Ervin Meten nga posti i ministrit të Financave, duke emëruar në vend të tij Petrit Malajn. Ndërkohë, Ervin Hoxha është emëruar ministër i Brendshëm, ndërsa Pirro Vengu është emëruar ministër i Mbrojtjes.

Të tre ministrat e rinj, deri tani mbanin poste drejtuesish në institucionet që janë në varësi të ministrisë së Infrastrukturë dhe Energjitikës, që drejtohet nga Belinda Balluku. Ervin Hoxha mbante postin e drejtorit të Përgjithshëm të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Petrit Malaj mbante postin e kreut të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe Pirro Vëngu mbante postin e kreu të Autoritetit Portual të Durrësit./ZËRI

Poll

MOS HUMB