TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka folur sot lidhur me ndryshimet që u lajmëruan në Kongresin e Partisë Socialiste dje. Lidhur me ndryshimet në postin e ministrit të Brendshëm, Berisha tha se Taulant Balla është ministri i pestë i brendshëm që ikën nga detyra. Ai shtoi se atë e zëvendësoi kushëriri i Ermal Hoxhës, i Ilir Hoxhës, Ervin Hoxha, pasardhës direkt i kushërinjve më të afërt të Enver Hoxhës.
Fjala e plotë:
Kongresi i Metamorfozës ishte një akt okult ndaj mbarë shoqërisë shqiptare, të cilën padrino e shumëzoi me zero, njëlloj si rilindësat e tij. Miqtë e mi, Taulant Bego Yaris është ministri i pestë i brendshëm që ikën nga detyra. Emërimi i tij si eksponent kryesor i krimit në politikë, si përfaqësuesi më i keqpërdorur i bandave të mafies së Elbasanit, Fushë Krujës dhe Shkodrës, ishte padyshim dorëzimi përfundimtar i rendit në duart e këtyre bosëve të mafies së Shqipërisë. Qëndrimi i tij në detyrën e ministrit të Brendshëm ishte rendi në duart e krimit. Të dashur miq, arrestoi ky faqezi që ka karakterin e një krimineli pervers, me qindra e qindra qytetarë. Nuk harroj kur këtu para jush denoncova që njoftoi në një vikend se arrestuan 600 qytetarë, por nuk kapi kryetrafikanti një kg kokainë. Me ardhjen e tij në pushtet, kokaina hynte lirshëm me vagona, me kontejnerë, me trajlera dhe çdo gjë tjetër. Po tani pse iku, thoni ju? A u tha një fjalë Edi Rama shqiptarëve pse iku? Pse iku ky bashkëpunëtor plural në krime? Asnjë fjalë! Shkoi zëdhënës i Ziliefalit në parlament dhe vetëm kaq. Asnjë fjalë për zhdukjen e kapjes së kokainës në Shqipëri. Asnjë fjalë për krimin që mori në dorë rendin. Po kush e zëvendësoi Taulant Bego Yarisin? E zëvendësoi kushëriri i Ermal Hoxhës, i Ilir Hoxhës, Ervin Hoxha, pasardhës direkt i kushërinjve më të afërt të Enver Hoxhës. Pra miqtë e mi, Edvin Kristaq Rama, bastardi i xhelatit Krsitaq Rama që firmoste varjen në litar të disidentit Havzi Nela për lirinë e fjalës, i dorëzoi ministrinë e Brendshme, pasi hoqi Tualetin me 5 mbiemra, familjes Hoxha. Dy prej të cilëve, bashkë me Olsin, drejtonin klanin e Xibrakës. A ka tallje më të madhe për shqiptarët, poshtërim më të madh për këtë vend?