
TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka folur mbi zhvillimet e fundit në kampin opozitar, krijimin Federatës Opozita që synon të bashkojë të gjitha fraksionet opozitare si dhe përgatitjet për zgjedhjet e vitit 2025. i pyetur nga gazetarja e ZËRI-t, Florida Mingla, për mungesën e firmës së kreut të LZHK-së Dashamir Shehi, kreut të PDIU-së Shpëtim Idrizi dhe të Lulzim Bashës, Meta nuk komentoi gjatë duke shtuar se e ka firmosur sikurse do të firmoste çdo gjë që është pozitive që i shërben përpjekjeve të përbashkëta për të rikthyer vendin në shinat kushtetuese e për të pasur demokraci funksionale. Ndaj dhe nuk ka parë kush ka firmosur ose jo. Në kushtet që ndodhet opozita me kryedemokratin Sali Berisha të shpallur non grata dhe përballë një procesi gjyqësor, Meta tha se çdo kandidat për kryeministër do të ishte shumë më i përgjegjshëm dhe shumë më i suksesshëm se kryeministri aktual, por nuk preferoi të zbulonte nëse ka patur biseda mes tij dhe Berishës për një emër konkret që do të kishte dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Meta nuk e mohoi as emrin e ij si një kandidat të mundëshm, kur tha se do të udhëheqë Partinë e Lirisë, që jo vetëm do të jetë 1 nga 3 forcat kryesore, por katalizator për ndryshimin në vend. Ai shtoi gjithashtu se roli i tij si kryeministër, është parë kur e ka mbajtur këtë post, duke nënvizuar se gjatë asaj periudhe treguesit ekonomikë dhe të integrimit në Bashkimin Evropin, kanë qenë mjaft të larta për Shqipërinë.
Pjesë nga konferenca:
Zoti Meta, në dokumentin e bërë publik edhe në media pas krijimit të federatës së opozitës, mungon firma e kreut të LZHK-së, Dashamir Shehi dhe kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi. Po ashtu, kreu i Partisë Demokratike zyrtare, Lulzim Basha, nuk është bashkuar. Çfarë argumenti kanë dhënë tre personat në fjale për mungesën e tyre? Çfarë presin qe te bashkohen?
Ilir Meta: Së pari, mua më është propozuar një dokument si kryetar i Partisë së Lirisë nga ana e Partisë Demokratike. Ai dokument, i cili është bërë publik besoj se është shumë parimor dhe në përputhje të plotë me qëllimet dhe objektivat e Partisë së Lirisë. Unë nuk kam parë fare se kush e ka firmosur atë dokument, por e kam firmosur sikurse do të firmosja gjithçka që është positive dhe u shërben përpjekjeve të përbashkëta për të rikthyer vendin në shinat kushtetuese edhe për të patur një demokraci funksionale që mbron dhe garanton të drejtat e qytetarëve shqiptarë pikërisht nga arroganca e qeverisë që vjen nga kapja e totale e pushtetit.
A është Federata e Opozitës nisja e procesit të përgatitjes për zgjedhjet e vitit 2025? Dhe nëse po, na zbuloni më shumë nga mënyra se si do të organizohet Opozita? Cili është hapi i radhës?
Ilir Meta: Unë besoj se këto janë çështje që janë diskutuar, janë çështje që do të vijojnë të diskutohen. Çështja e zgjedhjeve nuk është e rëndësishme thjesht për Opozitën por për çdo qytetar të Shqipërisë sepse kjo braktisje e jashtëzakonshme që i ka ndodhur dhe ndodh vendit vjen edhe për shkak të këtyre zgjedhjeve të dhunuara, zgjedhjeve të kapura, zgjedhjeve të trukuara, zgjedhjeve që i pamundësojnë qytetarëve shqiptarë të shprehin vullnetin e tyre dhe njëkohësisht që u vrasin shpresat për një të ardhme të sigurtë në një vend ku siguria juridike nuk ekziston më, sigurisht nuk ekziston as siguria e pronës, as siguria e punës, as mbrojtja nga arbitrariteti i një shteti që është shndërruar në një bandë plaçkitëse. Mjaftojnë besoj të gjitha të dhënat që dhashë për pensionistët për të kuptuar se si janë grabitur pensionistët, gati 7 milionë lekë u detyrohet kjo qeveri pensionistëve në zonat urbane dhe gati 3 milionë lekë çdo pensionisti në zonat rurale. Është një hajdutëri që ka shkuar nëpër offshore falë PPP-ve.
Zoti Meta, në kushtet që është opozita me zotin Sali Berisha të shpallur non grata dhe përballë një procesi gjyqësor, a është menduar ndonjë emër si kandidat për kryeministër, një emër që ndoshta do të kishte dhe përkrahjen e Rrugës së Elbasanit (Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës)?
Ilir Meta: (Qesh) Besoj se është detyrë e të gjithë qytetarëve shqiptarë të refuzojnë këtë qeverisje përjashtuese, bullizuese, intimiduese ndaj tyre, plaçkitëse ndaj tyre. Treguesit që dhashë për pensionistët janë shumë konkretë, shumë kokëfortë, por kështu grabiten të gjithë qytetarët në këtë vend, në forma nga më të ndryshme. Përsa i përket Opozitës, çdo kandidat për kryeministër do të ishte shumë më i përgjegjshëm dhe shumë më i suksesshëm se kryeministri aktual, i cili udhëheq vetëm fushën e skandaleve. Ju e dini që dje ka përfunduar një gjyq, ku njeriu që ai përdori për të shpallur non-grata Sali Berishën, apo për të shpallur hero të antikorrupsionit një gjyqtar që shkatërroi procesin e ndërtimit të Gjykatës Kushtetuese, për llogari të Rilindjes. Dhe këtë hero ndërkombëtar global të luftës kundër korrupsionit ne nuk e pamë në axhendën e funit të një vizite të rëndësishme në Tiranë, por e pamë që Rilindja ta katandiste me 5 vota si anëtar të Gjykatës Kushtëtuese, se kështu e ka Rilindja, i përdor dhe i flak si limona të shtrydhur. Ndaj të jeni të sigurtë, që pavarësisht nga përpjekjet e qeverisë, rilindjes dhe të gjithë zëdhënësve të saj mediatik, që ushqehen me paratë e inceneratorëve, dhe me paratë e PPP-ve, shumica e të cilave janë nën hetim, pa asnjë diskutim që ndryshimi në këtë vend do të ndodhë edhe pse do të jetë një process i vështirë sepse shqiptarët përballë kanë një regjim mafioz.
A është emri juaj në tavolinën e Opozitës si kandidat për kryeministër në zgjedhjet që po vijnë?
Ilir Meta: Përsa i takon emrit tim, besoj se emri im do të udhëheqë Partinë e Lirisë, e cila në mënyrë të padiksutueshme jo vetëm 1 nga 3 forcat kryesore, por do të jetë dhe factor kryesor e katalizator për ndryshimin në vend. Unë e kam bërë të qartë, dhe Partia e Lirisë e ka bërë të qartë që preferojmë një kandidaturë sa më gjithëpërfshirëse. Përsa i takon aftësive të mia si kryeministër, ato janë provuar në dy vite. Treguesit e Shqipërisë kanë qenë ndër më të mirët përsa i takon rritjes ekonomike dhe ritmeve të intëegrimit evropian në një kohë shumë të shkurtër, por këtu nuk jemi për të shpallur sfida të tilla, këtu jemi pikërisht për t’i shërbyer një procesi madhor dhe unë mendoj që do të ekzistojë vullneti për të bashkuar të gjithë ata të cilët janë për t’i dhënë fund kapjes së pushtetit dhe narkoqeverisjes dhe për këtë do të bëhen të gjitha përpjekjet, edhe nga Partia e Lirisë.