Aktualitet

Meta shpall programin e Partisë së Lirisë: 7 pikat për të ndryshuar arsimin

Në konferencën për mediat, kreu i PL Ilir Meta prezantoi 7 pika, që sipas tij, do ta ndryshonin gjendjen e arsimit në vend.

D.XH
Meta shpall programin e Partisë së Lirisë: 7 pikat për
Ilir Meta

TIRANË – Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, që prej shumë kohësh nuk është parë në konferenca për mediat, ka mbajtur një fjalim përpara anëtarëve të partisë së tij.

Meta ka paraqitur 7 propozime, të cilat sipas tij, përmirësojnë arsimin shqiptar. Kreu i PL theksoi se duhet bërë gjithçka, që të frenohet largimi i trurit nga vendi ynë. Ai shtoi se duhet të krijohen më shumë hapësira në vendin tone, për individët që kanë talente krijuese. Meta nënvizoi se duhet të krijohet më shumë shpresë, të ketë më tepër vende pune, me qëllim që të zhvillohet edhe ekonomia e vendit.

7 PIKAT E PROPOZUARA PËR NDRYSHIMIN E SITUATËS NË ARSIM NGA KREU I PL, ILIR META:

1. Kuvendi të miratojë sa më parë një ligj për nivelin dysheme të investimit në arsim dhe kërkim shkencor në nivelin 5% të PBB. Aktualisht, buxheti i vitit 2024 financon në vlerën 2.29% e PBB, më i ulëti në rajon dhe i pamjaftueshëm për të adresuar problemet e shumta të arsimit, që kanë ardhur duke u shtuar. Me buxhetin e duhur dhe politika adekuate mund ta nxjerrim arsimin shqiptar nga gropa ku ka rënë.

2. Niveli i pagave të mësuesve në piramidën e pagave të miratohet me ligj me shumicë të cilësuar. Nuk mjafton një maxhorancë e thjeshtë për vendime kaq të rëndësishme që prekin direkt të ardhmen e arsimit dhe rrjedhimisht edhe të vendit.

3. Kuvendi të vendosë nivel dysheme për financimin e inovacionit. Aktualisht, inovacioni në Shqipëri financohet në masën 0.05% e PBB, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian është 2.2%. Rritja e financimit është hapi i parë konkret në këtë drejtim, ku deri tani ka vepruar vetëm propaganda boshe.

4. Ligjet kryesore të arsimit të miratohen me shumicë të cilësuar në Parlament. Gjithashtu me shumicë të cilësuar duhet të miratohen edhe strategjitë e arsimit, programet, kurrikulat, dhe politikat arsimore. Për vendime kaq jetike për vendin është e domosdoshme dakordësia e të gjithëve.

5. Mësuesia dhe shkenca duhet të konsiderohen degë prioritare. Si rrjedhojë, ato duhen trajtuar me iniciativa dhe praktika që nxisin motivimin e studentëve. Për shkak të braktisjes së këtyre degëve sot, rrezikojmë që në pak vite të mbetemi pa mësues.

6. Investime prioritare në degët e teknologjisë së informacionit. Ky sektor që është kthyer në sfidë të kohës kërkon përgatitjen e profesionistëve të zotë.

7. Arsimi Profesional duhet të jetë domosdoshmërisht në varësi të Ministrisë së Arsimit. Lidhur me domosdoshmërinë e reformimit të tij, duhen studime të thelluara tregu mbi kërkesën dhe nevojën që ka sot vendi. Duhen hartuar strategji të reja që harmonizojnë kërkesat e një tregu gjithnjë në zhvillim me profesionistët që përgatisin këto shkolla. Me prioritet duhen parë degët si: elektroauto, mekanik, elektricist, teknik të pajisjeve teknologjike, turizëm dhe shërbime. Aktualisht, shkollat profesionale nuk përgatisin të rinj të aftë për të hyrë pas studimeve direkt në tregun e punës./ZËRI/

Poll

MOS HUMB