
ZVICËR- Në Lugano, Arben Ahmetaj ka tërhequr vëmendjen. Jo për atë që përfaqësonte për politikën shqiptare, por për luksin në të cilin jeton. Sipas mediave të huaja, ish-numri dy i qeverisë jeton në Zvicër, më saktë në Lugano. Dhe jo në një shtëpi dosido, por në një pronë në via Franscini. Apartamenti në fjalë është në emër të partneres së tij, e cila nisi edhe procedurën e azilit duke pretenduar se kishte marrë kërcënime me vdekje për shkak të detyrës së Ahmetajt.
Këshilltarët lokalë Raoul Ghisletta, Edoardo Cappelletti dhe Mattea David. Ata pyesin nëse Bashkia e Luganos "konfirmon që ndërtesa në Via S. Franscini i përket qytetit të Luganos" dhe nëse "a është në dijeni nëse ish-zëvendës kryeministër shqiptar dhe partnerja e tij banojnë rregullisht atje?". Nënshkruesit e pyetjes duan gjithashtu të dinë nëse “akomodimi i tyre konsiderohet i rregullt?”.
Mediat zvicerane lokale, të kantonit italishtfolës Ticino, shkruajnë se janë interesuar të autoritetet lokale, janë pyetur drejtuesit e departamenteve të Pasurive të Paluajtshme dhe të Sigurisë, për të marrë pikërisht përgjigjen e këtyre pyetjeve ndërsa janë informuar se është e vërtetë që ndërtesa është në pronësi të bashkisë, ndërsa për emrin e Ahmetajt thonë se nuk e kanë parë kurrë. Nuk figuron!
Sipas gazetave në Ticino, dyshimet ekzistojnë edhe për një transfertë bankare në degën e Credit Suisse në Lugano në vlerën e 1.8 milionë euro të bërë nga një prej ortakëve të Ahmetajt, për të cilat Struktura e Posaçme kundër Korrupsion dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar informacion nga autoritetet vendase. Në këtë pikë parë për t'u kuptuar se çfarë do të bëjë Zvicra, duke pasur parasysh edhe faktin që autoritetet zvicerane e konsiderojnë Shqipërinë një vend të sigurt.
Marrja e azilit për Arben Ahmetajn nuk do të jetë një “shëtitje në park”, edhe pse aktualisht situata e tij është shumë më komode. Zyrtarisht, Tirana nuk ka kërkuar ekstradim pasi deri pak kohë më parë nuk dihej vendbanimi i politikanit të arratisur. Tani që është konfirmuar prania e tij në Lugano, nuk përjashtohet mundësia që së shpejti dikush të trokasë në derën e banesës në "Via Franscini”.
Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ai akuzohet se me veprimet apo mosveprimet e tij ka ndihmuar biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri të fitojnë projektet për inceneratorët. Mbi Ahmetajn rëndojnë akuza për fshehje të pasurisë, korrupsion dhe pastrim parash./ZËRI