
TIRANË- Pas një orë e gjysmë mbledhje me dyer të mbyllura me drejtuesit e qarqeve, kreu i qeverisë Edi Rama në një deklaratë për mediat tha se Parta Socialiste është në fazën e angazhimit për anëtarësime të reja dhe në barazimin e kuotave gjinore në disa prej zonave rurale.
“Jemi me anëtarësimet shumë më mirë se çfarë disa nga kolegët mendonin dhe shpreheshin. Tani jemi në fazën e dytë që është faza e angazhimit për anëtarësimet e reja dhe adresimin e balancës gjinore në çdo qark. Nuk mund të them qarqe problematike po ka pika të caktuara kryesisht në zonat rurale ku duhet bërë më shumë punë për të pasur barazi gjinore mes burrave dhe grave”, tha Rama.
Ndër të treja, Rama tha se Partia Socialiste ndryshon vetveten dhe shtoi se ka një angazhim pozitiv nga drejtuesit politikë në qarqe.
“Ndryshimet janë pjesë e jetës së PS, prandaj PS është fituese sepse nuk pret që ta ndryshojnë tjerët por ndryshon veteveten. Unë shoh një angazhim pozitiv plus që sistemi ynë që ka një komponent gjithmonë e më të zhvilluar digjital, ka pasqyra që flasin vetë dhe nuk ka të bëjë vetëm me atë që raportojmë ne me fjalë”, shtoi kryesocialisti.
I pyetur për sistemin e patronazhistëve, nëse do ta aktivizojnë edhe në këto zgjedhje, Rama u përgjigj me ironi.
“Ligjet kalojnë në kohë të shkurtër se nuk ka në sallë kushte për të kaluar në një kohë të gjatë. Sa kohë s’ka kushte normale, ashtu do votohen. Nuk jam në dijeni a do hidhet në votim amnistia nesër, sepse I kemi punët e ndara, jam një deputet në parlament që shkoj dhe ndjek çfarë është përgatitur. Nuk e di si është agjenda nesër. Është bërë një diskutim për një keqkuptim që është adresuar sot nga ministri i drejtësisë. Sistemi i patronazhimit është aktiv edhe kur ju flini, jo më kur fle opozita, që jemi patronazhistë dhe ne të tjerët”, tha Rama.
Asambleja e PS do të mblidhet edhe më 16 mars në një takim në qytetin e Durrësit. Takimi i fundit i anëtarëve të Asamblesë ishte më 11 shkurt ku u bë një analizë e strukturave socialiste në qarqe.