
TIRANË-Deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi, është paraqitur mëngjesin e sotëm në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Kryemadhi u mor në pyetje për rreth 5 orë, ku pas daljes nga ambjentet e SPAK tha para gazetarëve se u përgjigj për disa çështje. Ndër të tjera ajo u shpreh se lobimi, hetimi pasuror dhe operacionet plastike janë në një çështje. Deputetja e PL-së deklaroi se ka kryer botoks si të gjithë.
Sa i përket celularit të saj, i cili vijon të mbahet nga prokurorët, Kryemadhi u shpreh se nuk e ka problem, pasi në të ka vetëm gjëra të bukura. Deputetja u shpreh se nuk e sfidon drejtësinë, por lufta e saj është politike.
Kryemadhi: U pyeta për shumë çështje. I dhash përgjigje të gjitha pyetjeve. Ballafaquam gjërat që kanë të bëjnë me akuzat që kanë ngritur. Besoj se e ezauruam aspektin e pyetjeve dhe përgjigjeve. Isha për tu përgjigjur rreth padisë së rremë që ka bërë Veliaj me suflerët, shërbëtorët e tij. Padia që është dorëzuar në SPAK nga dy ushtarët e bindur të Veliajt, është paditur nëna ime, vëllai dhe fëmijët e mi. E lexova me vëmendje dhe e firmosa me vetëdije të plota, duke marrë të gjitha përgjegjësitë. Lobimi, hetimi pasuror dhe operacionet plastike janë në një çështje. Celularin tim le ta mbajnë. Ka vetëm gjëra të bukura në celularin tim. Unë nuk kam prerje estetike, patjetër që botoks kam bërë si gjithë gratë e burrat. Vazhdoj t’i qëndroj çdo deklarate time të lidhur me reformën në drejtësi. Nuk e sfidoj as sistemin e drejtësisë, as sistemin ku ne jetojmë dhe punojmë, pavarësisht problematikave që kemi,. Nëse do sfidoja nuk do isha nga deputete e pakta që ka dorëzuar në SPAK 6 padi për inceneratorin apo ndërtimit pa leje të inerteve në lidhje me inceneratorin. Të gjithë kemi ndasitë dhe qëndrimet tona. Lufta ime është betejë politike, as me prokurorët. Ata do bëjnë punë e tyre, unë jam një e paditur nga Veliaj. Ndaheni me Ilir Metën për sulmet ndaj SPAK? Ndahemi.
SPAK po proceson dy hetime mbi çiftin Meta të bashkuara me një fraksion. Procedimi i parë lidhet me një kallëzim që është bërë në Prokurorinë e Posaçme nga avokati Idajet Beqiri, ku akuzon çiftin Meta për akuzën e Korrupsionit, Pastrimit të parave dhe fshehjes të të ardhurave. Në këtë denoncim përmenden ndërhyrjet estetike që Meta dhe Kryemadhi kanë bërë jashtë vendit, dhe sipas Beqirit nuk kanë deklaruar. Hetimi i dytë lidhet me episodin e lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës njohur ndryshe si lobimi 700 mijë dollarësh. /ZËRI