TIRANË- Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar pas ratifikimit dhe nënshkrimit nga Shqipëria të një huaje prej 302 milionë dollarësh në kuadër të programit Foreign Military Financing (FMF).
Në reagimin zyrtar, ambasada thekson se huaja do të mbështesë modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë përmes blerjes së kapaciteteve dhe pajisjeve ushtarake me origjinë amerikane. Ambasada vlerëson gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve në fushën e sigurisë dhe nënvizon se Shqipëria ka qenë e koordinuar me Shtetet e Bashkuara në çështje të rëndësishme të politikës së jashtme.
"Sot, Shtetet e Bashkuara kanë kënaqësinë të njoftojnë ratifikimin dhe nënshkrimin nga Shqipëria të një huaje të re prej 302 milionë dollarësh në kuadër të programit Foreign Military Financing (FMF), e cila do të mbështesë përparimin e Shqipërisë drejt përmbushjes së Angazhimit të Hagës për Mbrojtjen, që parashikon rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2035.
Huaja FMF do të ndihmojë në modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë duke mbështetur prokurimin e kapaciteteve kryesore me origjinë nga Shtetet e Bashkuara dhe do të forcojë aftësinë e Evropës për të marrë një rol udhëheqës në mbrojtjen e saj.
Si aleate e NATO-s, Shqipëria është rreshtuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara në çështje kyçe të politikës së jashtme, përfshirë edhe si anëtare themeluese e Bordit të Paqes të Presidentit Trump", thuhet në reagimin e Ambasadës Amerikane.
Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektligjin për këtë hua në seancën e 27 korrikut me 74 vota pro. Diskutimet mbi marrëveshjen u zhvilluan me dyer të mbyllura, pasi mazhoranca argumentoi se dokumenti përmbante informacion të klasifikuar. Partia Demokratike bojkotoi seancën. Marrëveshja synon të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për të përmbushur Angazhimin e Mbrojtjes së Hagës, i cili parashikon rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në nivelin 5% të PBB-së deri në vitin 2035./ZËRI