Politikë

Arrestimi i Berishës, GJKKO nuk merr as sot vendim

Vendimi final pritet të jepet gjatë ditës së nesërme, në orën 15:00

E.K
Arrestimi i Berishës, GJKKO nuk merr as sot vendim
Sali Berisha

TIRANË- Gjykata e Posaçme ka shtyrë për nesër në orën 15:00, dhënien e vendimit për masën e sigurisë në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha. Burime bëjnë me dije për Zërin se seanca do të mbahet nesër në orën 15:00 ku pritet të jepet edhe vendimi final.

Gjatë seancës së sotme u rrëzuan dy kërkesa të avokatëve të Berishës, e para për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka dhe e dyta për praninë e mediave në sallë.

SPAK ka kërkuar masën e sigurisë arrest shtëpie nën mbikëqyrje policore për Sali Berishën.

Kërkesa për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj Berishës erdhi pasi ky i fundit kundërshtoi si antikushtetuese masat e mëparshme të detyrimit për paraqitje dhe ndalim të daljes jashtë shtetit, duke mos i zbatuar ato. Kodi i Procedurës Penale parashikon zëvendësimin e masës në raste të tilla.

Berisha ka mohuar akuzat për korrupsion dhe ka deklaruar në vazhdimësi se procesi kundër tij është porositur nga kundërshtari politik, kryeministri Edi Rama.

Në 21 tetor të këtij viti, SPAK arrestoi Jamarbër Malltezin, dhëndër i ish-kryeministrit Sali Berisha, si person i dyshuar se ka përfituar miliona euro në mënyrë të parregullt, falë vendimeve të qeverisë, në kohën kur kryeministër ishte Sali Berisha./ZËRI 

Poll

MOS HUMB