
TIRANË- Mbledhjet e Komisioneve Parlamentare, të cilat janë duke u mbajtur online këtë të hënë, kanë prodhuar dhe momente të pakëndshme, siç është shfaqja e një deputeti duke pirë cigare nga rehatia e banesës së tij. Është fjala për deputetin që ka hyrë së fundi në Kuvend, nga radhët e Partisë Demokratike në qarkun e Vlorës, Gëzim Ademaj.

Ndërkohë që deputetë të tjerë janë shfaqur me pamje nga makinat e tyre, apo dhe rasti i Lavdrim Krrashit, deputet socialist në Dibër, i cili ka vendosur si efekt një pyll me pemë të larta, që në momente të caktuara i sfumonin edhe fytyrën e tij.
Aktualisht janë duke u zhvilluar mbledhjet e dy komisioneve, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, dhe Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin. Më herët po online u zhvilluar dhe Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme. Për opozitën mbajtja e Komisineve Parlamentare online është e paligjshme dhe ajo parashikohet vetëm në kushtet e emergjencës./Zëri.ai