
TIRANË- Me 74 vota pro, deputetët e mazhorancës kanë miratuar ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, që parashikojnë masa më të ashpra sigurie për deputetët që kryejnë akte dhune në sallën e parlamentit.
Në seancën e sotme, e cila zgjati jo më shumë se 10 minuta, socialistët miratuan të vetëm të gjitha pikat që ishin pjesë e rendit të ditës.
Lindita Nikolla mbylli seancën, e cila nisi me vonesë, për shkak të përplasjeve që patën deputetët e opozitës me garditët në hyrje të Kuvendit.
Çfarë parashikojnë ndryshimet në rregulloren e Kuvendit:
Ndryshimet në rregullore parashikojnë ashpërsimin e masave për deputetët të cilët bllokojnë punimet e Kuvendit. Deri më sot dënimi maksimal është 10 ditë, ndërkohë që PS ka votuar që ky dënim të bëhet deri në 60 ditë.
“Masa disiplinore “përjashtim nga pjesëmarrja në komisione /në seancë plenare “deri në 60 ditë jepet në rastet:
a) kur deputeti përdor lëndë apo mjete piroteknike, tymuese, bojra dhe materiale apo mjete të tjera të ngjashme brenda sallës së zhvillimit të punimeve të Kuvendit/mbledhjes së komisionit / brenda mjediseve të Kuvendit;
b) kur deputeti kryen veprime / sjellje që përbëjnë shkeje që konfigurohen si shkelje penale pavarësisht nëse shkelja përben vepër penale sipas Kodit Penal;
c) kur deputeti kryen në mënyrë të përsëritur brenda një sesioni parlamentar shkeljet e parashikuara në pikën 6.”
Kërkesa për marrjen e mases disiplinore, sipas pikave 6 dhe 7 të këtij neni, paraqitet me shkrim nga jo më pak se 7 deputetë dhe jo më vonë se 48 orë nga dita e konstatimit të ngjarjeve/ rasteve.
Gjatë periudhës së zbatimit të masës displinore të parashikuar në pikat 6 the 7 të këtij neni deputeti ndalohet të kryej dhe çdo veprimtari tjetër si anëtar i Kuvendit”, thuhet ne drafin e depozituar nga PS.
/ZËRI