
TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka lënë në fuqi këtë të martë ligjin për kompensimin e pronave në vitin 2022, duke rrëzuar kështu ankesën e depozituar nga Komunitetit Musliman Shqiptar. Në padinë e depozituar nga KMSH, kundërshtohet metodologjia e përllogaritjes së kompensimit financiar për pronat.
Por çfarë kundërshton Komuniteti Mysliman në Shqipëri?
Përllogaritja e vlerës së pronës me çmimin në kohën kur është bërë shpronësimi ka nisur përplasjen midis KMSH dhe qeverisë. Agjencia e Trajtimit të Pronës ka njohur vetëm të drejtën për kompensim.
“Kur ka ndryshuar zëri kadastral i pronës së njohur për kompensim, vlera e pronës llogaritet duke u bazuar në zërin kadastral aktual. Subjekti i shpronësuar kompensohet në masën 10 për qind të vlerës së pronës, sipas zërit kadastral actual. Përjashtimisht, kur vlerësimi financiar sipas zërit kadastral, që ka pasur prona në kohën e shpronësimit, është më i madh se 10 për qind e vlerës së pronës së llogaritur, subjekti i shpronësuar kompensohet me vlerën e llogaritur sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit,”- thuhet në vendimin e qeverisë që kundërshtohet nga KMSH.
Në vendimin nr.223, datë 23.3.2016, të Këshillit të Ministrave parashikohet që Agjencia e Trajtimit të Pronave për efekt të kompensimit dhe të ekzekutimit të vendimeve përfundimtare që kanë njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, kur nuk ka ndryshuar zëri kadastral, vlerëson financiarisht vendimet, duke u bazuar në vlerat e përcaktuara në hartën e vlerës, sipas rregullave të vendosura./ZËRI