
TIRANË- Në 33 vite demokraci, Shqipëria ka pritur një president amerikan dhe 5 sekretarë shteti. Të gjitha vizitat janë bërë me një arsye të veçantë. I pari zyrtar i lartë amerikan që ka ardhur në vendin tonë ka qenë James Baker në vitin 1991.
Në këtë periudhë, Shqipëria po përjetonte momentet e para të demokracisë dhe Sekretari mori mesazhin e fortë, që populli mbështeste demokracinë perëndimore, për t’u ndarë përfundimisht nga periudha e errët e totalitarizmit. Baker u prit me një miting të jashtëzakonshëm, ku u shfaqën pankarta pro-amerikane.

Në vitin 2000, Medeline Albright erdhi në Shqipëri, pak kohë pas përfundimit të luftës së Kosovës. Kjo vizitë erdhi në një kohë, që Amerika kishte bërë shumë për lirinë e popullit shqiptar dhe Shqipëria kishte ndihmuar për strehimin e bashkëkombasve nga Kosova, të larguar nga dhuna e Serbisë. Duket se SHBA e kishte edhe më të qartë se çfarë planesh mund të bënte për Shqipërinë, tashmë demokratike dhe pjesë e botës së lirë.
Më tej, kryeministri i kohës Fatos Nano priti në vitin 2003 Sekretarin e Shtetit Colin Powell. Ardhja e tij shërbeu për të firmosur kartën e Adriatikut, ku Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Kroacia hynë në “paradhomën” e NATO-s.
Ndërsa, në vitin 2012, në parlamentin e Shqipërisë, mbajti fjalën e saj Sekretarja e Shtetit Amerikan, Hillary Clinton. Në këtë kohë, Shqipëria kishte pranuar që të strehonte, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, muxhahedinët iranianë, ndërsa vetë Uashingtoni lëshoi mesazhin, se pret që në vend të luftohet korrupsioni.
Më 2006, u prit po nga kryeministri Edi Rama, John Kerry. Ai ka konfirmuar se Uashingtoni e dëshiron rajonin e Ballkanit Perëndimor jashtë influencave të tjera, përpos se asaj perëndimore, duke pasur parasysh këtu, sidomos rrezikun nga influencat ruse. Vizita e tij erdhi në kohën, që Shqipëria strehoi 2500 opozitarë të Iranit. Ata u pranuan në Manzë, për të shpëtuar nga regjimi i Teheranit.
Kështu, Antony Blinken është i gjashti sekretar shteti i SHBA-ve që ka bërë një vizitë në Tiranë. Përpos sekretarëve, Shqipëria ka pritur edhe një president amerikan dhe bëhet fjalë për George Bush.
Ndërsa, më datë 10 qershor 2007, vendin tonë e vizitoi presidenti amerikan George Bush. Atij iu rezervua një mikpritje e madhe. Pas vizitës së tij, Shqipëria u bë pjesë e NATO-s dhe një vit më vonë u liberalizuan vizat.
Ndërsa, amerikani i fundit i rëndësishëm që ka vizituar vendin tonë ishte ish-presidenti i SHBA, Bill Klinton.
Vizita e tij nuk ishte shtetërore, por private. Emri i tij kujtohet së tepërmi, sidomos nga shqiptarët e Kosovës, për kontributin e jashtëzakonshëm për çlirimin e Kosovës nga okupimi serb./ZËRI/