Politikë

Kreu i një grupi kriminal në Itali? KQZ nis verifikimin e thelluar për kryebashkiakun socialist

PD pretendon se Marinaj akuzohet nga Prokuroria e Antimafias Italiane si drejtues i një organizatë kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës

E.K
Kreu i një grupi kriminal në Itali? KQZ nis verifikimin e thelluar
Tonin Marinaj

TIRANË- Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka vendosur kryerjen e verifikimit të thelluar për Tonin Marinaj, dhe dërgimin e të dhënave përkatëse Prokurorisë së Përgjithshme për vlerësim të mëtejshëm.

Ky i fundit, është Kryetar në Bashkinë Malësi e Madhe, i propozuar nga PS, ndërkohë që është denoncuar nga Partia Demokratike, se ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit, duke fshehur një hetim ndaj tij në Itali, si kreu i një grupi kriminal.

Kundër këtij vendimi te KQZ mund tё bёhet ankim nё Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve, brenda 30 ditëve nga shpallja e tij.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka dërguar pak ditë më parë një kërkesë zyrtare Prokurorit të Përgjithshëm për verifikimin sipas ligjit të dekriminalizimit të Kryetarit të Bashkisë Malësi e Madhe Tonin Marinaj. Sipas demokratëve, Tonin Marinaj: “akuzohet nga Prokuroria e Antimafias Italiane si drejtues i një organizatë kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës”.

Në kërkesë evidentohen gjithashtu tre epsiode, ku kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe përfshihet në trafikun e drogës. Marinaj ka organizuar dhe drejtuar importimin në territorin italian dhe shpërndarjen tek anëtarët të 50 kilogramëve mariuanë në Firence, në datën 29.05.2010, thuhet në dokument.

Në një tjetër rast thuhet se Marinaj ka organizuar dhe drejtuar importimin në territorin italian dhe shpërndarje tek anëtarët për shitje të jo më pak se 75 kilogramëve mariuanë, në Firence. Ndërkohë në rastin e tretë përveç shpërndarjes së mariuanës në Firence, Policia italiane ka gjetur në magazinë një pistoletë e kalibrit 9 mm dhe 100 gramë kokainë.

Vetë Marinaj është shprehur i hapur ndaj çdolloj hetimi që mund të ndërmerret ndaj tij nga ana e Prokurorisë apo KQZ-së./ZËRI 

Poll

MOS HUMB