TIRANË- Kompania lobuese e pajtuar nga Partia Demokratike përpara zgjedhjeve të 11 Majit, “Continental Strategy”, i ka kërkuar Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për heqjen e statusit “non grata” për liderin demokrat Sali Berisha. Në dokumentin prej 23 faqesh, të disponuar nga Top Channel, "Continental Strategy" kërkon heqjen e "non gratës" për Berishën, duke argumentuar se kjo shpallje dëmton politikën e jashtme amerikane. "Kjo shpallje ishte e motivuar politikisht, pa bazë faktike, dëmtoi interesat e politikës së jashtme të SHBA-së dhe kontribuoi në përkeqësimin e situatës në Shqipëri, që sot kritikët e përshkruajnë si një “shtet-narkotik”, thuhet në dokument. Në shkresë, kompania thotë ndër të tjera se Berisha tashmë nuk është një figurë aktive politike dhe heqja e shpalljes do të rikthente neutralitetin dhe besueshmërinë amerikane në rajon.
“Shpallja sipas nenit 7031(c) e ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, duhet të hiqet menjëherë. Kjo shpallje ishte e motivuar politikisht, pa bazë faktike, dëmtoi interesat e politikës së jashtme të SHBA-së dhe kontribuoi në përkeqësimin e situatës në Shqipëri, që sot kritikët e përshkruajnë si një “shtet-narkotik”. Ndërsa demokracia në Shqipëri është nën kërcënim serioz dhe Berisha nuk është më një figurë aktive politike, heqja e shpalljes do të rikthente neutralitetin dhe besueshmërinë amerikane në rajon”, thuhet në materialin e hartuar nga kompania lobuese amerikane.
Kontrata e lobimit e Partisë Demokratike në SHBA është firmosur më prill nga sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka është bërë me kompaninë amerikane "Continental Strategy". Vlera e kontratës arrin në 6 milionë dollarë, nga të cilat 3 muajt e parë 750 mijë dollarë janë paguar tashmë. Kompania merr përsipër t’i ofrojë PD-së shërbime të marrëdhënieve me qeverinë në lidhje me këtë fushë shërbimesh si krijimi i marrëdhënieve me aktorë kyç në degët ekzekutive dhe legjislative për të lehtësuar zhvillimin e politikave dhe objektivave të saj elektoral dhe qeverisës./ZËRI