
TIRANË- Këshilli i Mandateve miraton kërkesën e SPAK për arrestimin e Berishës. Me 6 vota pro dhe asnjë kundër deputetët socialistë dhe Enkelejd Alibeaj, i vetmi përfaqësues i opizItës në sallë i dhanë dritën jeshile organit të akuzës për arrestimin e kreut të PD. Relacioni pritet ti kalohet Kuvendit në seancë plenare, e cila do të mbahet të enjten. Pas kësaj, Sali Berisha është pa imunitetit ndërsa prokurorët e SPAK, Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai do të dorëzojnë në Gjykatën e Posaçme kërkesën për arrestimin e kryedemokratit. Do të jetë GJKKO ajo që do të vendosë nëse Sali Berisha do të shkojë në burg apo do ti jepet masa kufizuese e "Arrestit të shtëpisë".
Seanca e së enjtes pritet të mos jetë e qetë pasi opozita ka paralajmëruar protestë jashtë Kuvendit. Me deputetët e përjashtuar që do të jenë në sallë pasi skadon afati i dënimit, seanca e së enjtes pritet të dominohet nga debate dhe përplasje mes palëve.
Raporti i hartuar këtë të hënë nga deputetët anëtarë të Këshillit të Mandateve pritet ti dorëzohet Kryetares së Kuvendit deri të mërkurën në ortën 14:00. Relatore të raportit Këshilli i Mandateve vendosi që të jetë deputetja socialiste Klotilda Bushka.
Prej katër orësh këtë të hënë prokurorët e Posaçëm Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai kërkuan nga Kuvendi dhënien e autorizimit për arrestimin e Sali Berishës. Ky i fundit akuzohet për "Korrupsion pasiv" në dosjen e kompleksit "Partizani". Më herët është arrestuar dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi, i cili më vonë la burgun dhe ndodhet nën masën e sigurisë "Arrest shtëpie"./ZËRI