
TIRANË- Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi masën arrest shtëpie për Sali Berishën dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, të cilët u morën të pandehur nga SPAK për aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani'.
Berisha dhe Malltezi kërkuan zëvendësim të masës së sigurisë, kërkesë kjo që nuk u pranua. Seanca e tyre zgjati rreth 3 orë dhe çështja u gjykua nga Ilirjana Olldashi, e cila refuzoi të zbusë dënimin ndaj tyre.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 13.09.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 182 akti, datë 04.09.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim/ankues S.B. dhe J.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 400 akti, datë 30.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (me objekt: Informacion dymujor në kuadër të procedimit penal)”, në lëndë të masave të sigurimit personal dhe vendosi: Miratimin e vendimit nr. 400 akti, datë 30.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, njofton Gjykata e Apelit.
Ndërsa avokati i tyre, Genc Gjokutaj, pas përfundimit të seancës në një prononcim për mediat tha se gjykata po shkel ligjin pasi hetimet nuk kanë përfunduar. Sipas tij, kjo është një marrëveshje e hapur mes GJKKO dhe SPAK,
“Kjo është një marrëveshje e hapur mes SPAK dhe Gjykatës, që as ti nuk e bën kërkesën dhe as unë nuk respektoj detyrimin që kam ndaj ligjit. Vetë gjykata që ka vendosur masat nuk është e interesuar tani në fund që të shikojë se si kanë vijuar hetimet, sepse nuk kanë përfunduar hetimet. Matematika, kur mbarojnë, nuk është sekret hetimor, por diskrecion i mbrojtjes. Afatet e paraburgimit me afatet e hetimit janë dy gjëra të ndryshme. Këta nxitojnë sepse i detyron masa e sigurimit, e kufizimit të lirisë, se kanë frikë se u skadon, shuhet masa për shkak të kalimit të afatit tërësor. Dhe nxitojnë. Në rastin e Berishës këta besoj do të nxitojnë. Në raste të tjera, si rasti i Dakos, këta nuk nxituan dhe u shkau nga dora. Nuk kam parë dosje penale që një person të jetë nën hetim, nën akuzë dhe të mos përmendet me emër. Në funksion të kësaj akuze ka vetëm mbledhje letrash, kontratash. Vepra penale korrupsion kërkon prova. Ta kthesh interpretimin tënd për ta çuar në gjyq, në provë, kjo nuk ka bërë vaki. Provën e provës që ai nuk prish provat janë 3 muajt që ai ka qenë në gjendje të lirë pas tetorit. Asnjë dëshmitar nuk është intimiduar, asnjë zyrë nuk është marrë në telefon dhe asnjë dokument nuk është penguar për t’u administruar”, tha Gjokutaj.
Më 11 shtator, ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi u morën të pandehur nga SPAK për korrupsion pasiv. Në dosjen me 500 faqe të SPAK, ish-kryeministri akuzohet për “korrupsion pasiv” të kryer në bashkëpunim, ndërsa dhëndri i tij Jamarbër Malltezi akuzohet për “korrupsion pasiv të kryer në bashkëpunim” dhe “pastrim parash”. Të dy i quajtën akuzat ndaj tyre si gënjeshtra dhe të motivuara politikisht. /ZËRI